Debati publik mbi projektin e zhvillimit të Ishullit të Sazanit është fokusuar pothuajse tërësisht te turizmi elitar, investimet e huaja dhe premtimet për zhvillim ekonomik, duke e paraqitur ishullin si një aset natyror të pazbuluar më parë, i cili po hyn për herë të parë në vëmendjen e aktorëve ndërkombëtarë, por rrëfimi i bërë publik së fundmi nga Sibel Edmonds, ish-përkthyese e FBI-së dhe një nga sinjalizueset më të njohura të sigurisë kombëtare amerikane, e rrëzon këtë narrativë dhe e zhvendos fillesën e historisë së Sazanit disa vite më herët, konkretisht në vitin 2016.
Sipas Edmonds, interesimi për Sazanin nuk lindi si ide investimi, por si pjesë e një procesi identifikimi territoresh të izoluara, i ngjashëm me modelet që për vite me radhë janë përdorur nga rrjete të fuqishme financiare dhe kriminale, ku figurë qendrore ka qenë Jeffrey Epstein, bashkë me një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh, investitorësh dhe ndërmjetësish që operonin mes Shteteve të Bashkuara, Karaibeve, Lindjes së Mesme dhe Europës.
Në rrëfimin e saj, viti 2016 shënon momentin kur, pas rritjes së vëmendjes publike mbi ishullin ‘Epstein’ në Karaibe dhe pas fillimit të goditjeve ligjore që e bënë atë hapësirë të papërdorshme, rrjetet e lidhura me të nisën të kërkojnë alternativa gjeografike, jo për të zëvendësuar një ishull të vetëm, por për të shpërndarë aktivitetin në disa pika të reja, larg juridiksioneve të forta dhe larg syrit publik perëndimor.
Sibel Edmonds përshkruan se në këtë fazë nuk flitej për blerje, ndërtim apo projekte konkrete, por për vlerësim të heshtur territori, ku Sazani u fut në hartë për shkak të izolimit gjeografik, mungesës së popullsisë civile, historisë ushtarake dhe faktit që kontrolli real mbi ishullin mund të ushtrohej përmes marrëdhënieve politike dhe jo përmes procedurave ligjore standarde.
Në rrëfimin e Edmonds, Sultan Ahmed bin Sulayem nuk del si “investitor turizmi” dhe as si njeri që kërkon plazhe apo resorte. Del për një arsye tjetër shumë konkrete. Prej më shumë se dy dekadash, bin Sulayem është figura që ka ndërtuar dhe drejtuar DP World, një nga operatorët më të mëdhenj të porteve në botë, një kompani që nuk merret thjesht me anije dhe kontejnerë, por me kontroll territori, akses, kufij dhe zona që funksionojnë me rregulla të veçanta. Në praktikë, DP World ka administruar porte dhe zona të mbyllura në vende ku shteti lejon që një hapësirë të ndahet nga pjesa tjetër e territorit dhe të funksionojë sipas marrëveshjeve politike, jo sipas ligjit të zakonshëm.
Sipas Sibel Edmonds, kjo përvojë është pikërisht arsyeja pse bin Sulayem shfaqet në diskutimet e hershme rreth territoreve të izoluara. Nuk flitet për blerje ishujsh, por për mënyrën se si krijohen enklava të mbyllura, ku hyrja, dalja dhe prania kontrollohen nga pak duar, ndërsa shteti formal mbetet jashtë përditshmërisë së asaj hapësire. Modelet që Edmonds përshkruan janë ato të porteve speciale, zonave të lira ekonomike dhe ishujve ku rregullat janë të tjera dhe ku autoritetet hyjnë vetëm kur ftohen.
Në të njëjtin rreth përmenden figura të sigurisë private dhe operacioneve të errëta, përfshirë Erik Prince, themelues i Blackwater, i njohur për përfshirjen në projekte paramilitare, zona gri juridike dhe bashkëpunime me shtete dhe aktorë privatë në territore ku shteti ligjor është i dobët ose i negociueshëm.
Shqipëria u vlerësua jo për bukurinë natyrore, por për pozicionin e saj në rrjetet ndërkombëtare të trafikimit të qenieve njerëzore, ku sipas Edmonds, mafia shqiptare ka luajtur rol qendror për dekada, duke furnizuar tregje në Europë dhe më gjerë, ndërsa lidhjet mes krimit të organizuar dhe politikës kanë garantuar mbulim dhe mosndërhyrje.
Rrëfimi e përshkruan Sazanin si një territor që përmbushte të gjitha kushtet për këtë model, një ishull i mbyllur, me infrastrukturë të trashëguar ushtarake, me tunele dhe struktura të brendshme që lejojnë lëvizje të padukshme, dhe me një status që e bën të lehtë justifikimin e kufizimeve të aksesit.
Sipas Edmonds, ajo që sot po paraqitet si projekt turistik është faza e fundit e një procesi shumë më të gjatë, ku territori fillimisht identifikohet dhe mbahet jashtë vëmendjes, për t’u ripaketuar më pas me një narrativë të pranueshme publikisht.
Në këtë linjë, përfshirja e figurave të tjera politike dhe financiare në vitet pasuese, përfshirë emra të lidhur me administratën amerikane dhe investime të Lindjes së Mesme, shihet si vazhdim i një modeli të ndërtuar më herët dhe jo si nisje e një historie të re.
Pamfleti do të publikojë pjesë-pjesë të gjitha rrëfimet tronditëse të Sibel Edmonds, duke i lidhur me zhvillimet konkrete në Shqipëri, emrat e përfshirë dhe dokumentet që dalin në dritë, për të rindërtuar një histori që prej vitesh është zhvilluar larg syve të publikut.
