Gazetari Robert Papa ka dhënë një vlerësim tejet kritik për situatën politike në Shqipëri, duke e cilësuar vendin si një realitet autokratik, ku – sipas tij – ndryshimi i pushtetit përmes votës është praktikisht i pamundur.
Në analizën e tij, Papa shprehet se Edi Rama ka konsoliduar kontroll të plotë mbi institucionet dhe shumicën parlamentare, çka e bën procesin zgjedhor të paaftë për të prodhuar rotacion real politik.
“Mekanizmat për ta larguar Ramën me votë janë të pamundura. Ai ka blerë gjithçka. Ka 83 deputetë dhe kontroll total. Vetëm nëse partnerët ndërkombëtarë do ta kërkonin, kjo situatë mund të ndryshonte,” shprehet Papa.
Pretendime për transferta financiare dhe faktorë ndërkombëtarë
Në deklaratat e tij, Robert Papa përmend edhe atë që ai e cilëson si transferta financiare të dyshuara, të lidhura me bashkëshorten e kryeministrit, Linda Rama, duke përmendur shifra dhe institucione ndërkombëtare, përfshirë bankën ABI Bank dhe agjencitë amerikane të sigurisë.
Sipas Papës, këto çështje, nëse do të hetoheshin seriozisht, mund të kishin potencial destabilizues për pushtetin aktual. Ai thekson se, historikisht, regjimet autokratike nuk bien pa presion ndërkombëtar, por shton se fati i Shqipërisë duhet të vendoset nga vetë shqiptarët.
Besimi te SPAK dhe “dosjet masive”
Papa shprehu gjithashtu besim te SPAK, duke thënë se institucioni nuk kontrollohet politikisht dhe se dosjet ndaj Edi Ramës janë të shumta dhe voluminoze.
“Rama është i frikësuar, në panik dhe i rrezikshëm në fazat e fundit të pushtetit. Dosjet janë masive dhe interesat e sigurisë kombëtare amerikane nuk falin shkelje,” deklaron ai.
Në analizën e tij, gazetari lidh zhvillimet e fundit politike edhe me faktorë ndërkombëtarë, duke përmendur figura si Donald Trump, Ivanka Trump dhe Benjamin Netanyahu, duke i konsideruar këto marrëdhënie si përpjekje të Ramës për të fituar “oksigjen politik”.
Thirrje për reagim qytetar dhe “Republikë të re”
Në përfundim, Robert Papa deklaron se regjimet autokratike nuk largohen me votë, por me presion të fortë shoqëror dhe qytetar. Ai flet për nevojën e një “Republike të re”, reformim të thellë të institucioneve dhe një sistem të ri zgjedhor.
“E keqja në Shqipëri ka vetëm një emër: Edvin Rama. Kryesorja është zhdukja e kësaj autokracie që rrezikon sigurinë rajonale. Shqipëria meriton më mirë,” përfundon Papa.
