ryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha duket se është i shqetësuar nga zhvillimet e fundit në SPAK në raport me dosjen e 21 Janarit, ngjarje e cila po hetohet si grup i strukturuar kriminal. Prej dy ditësh, në mënyrë qesharake, Berisha po përpiqet të barazojë vrasjet e 21 Janarit me protestën e djeshme, ku u përplas grupi i tij i molotovit me policinë.
Nga sulmi u dëmtuan 16 punonjës policie. Policia reagoi, por si gjithmonë, asnjë armë nuk u shkrep. Ka një urdhër që policia të mos mbajë armë me vete në protesta. Por, duke tentuar të barazojë 21 Janarin me një përplase të zakonshme mes grupit të tij të molotovit me policinë, Berisha tha se katër protestues ishin qëlluar me snajper dhe se Edi Rama kishte një plan gjakderdhje.
“Të tmerruar nga urtia dhe qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes. Kishte përgatitur ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh. Për këtë qëllim ai kishte vënë në komandë, në krye të banditëve me uniformë, kriminelin famëzi Sokol Bizhga, njeriun që dorëzoi tek bandat oficerin e policisë Gjergj Mehmeti që ndodhej në makinë me të. Dhe ky shpëtoi, kurse atë e dogjën të gjallë banditët në rrugën Sarandë-Gjirokastër. Gjergj Mehmeti u tradhtua nga një i pabesë që meriton të gjitha dënimet për tradhtinë e tij. Dhe ky kriminel është sot në pozitat më të larta në policinë e Edi Ramës. Ky urdhëroi snajperët të qëllojnë katër protestues, të cilët në mënyrë absolute nuk po kryenin asnjë veprim ndaj policëve të rendit. Jo. Ilir Tufi, protestues i vazhdueshëm në protestat tona, po filmonte, në një kohë kur e godasin snajperët në ballë. Goditja me plumba gome në kokë provohet në të shumtën e rasteve vdekjeprurëse. Tjetër, Luan Lleshi i goditur edhe ai pa asnjë motiv. Demë Dollapi, i goditur edhe ai në kokë. Me plagë. Dhe një zonjë. Pra, janë katër protestues të plagosur, të qëlluar tre prej tyre në kokë, me qëllim eliminimin fizik të tyre”, tha Berisha.
Kreu i PD-së Sali Berisha pretengoi dje se kishte parandaluar edhe një grusht shteti të Edi Ramës. Zakonisht grushtin e shtetit e bëjnë ata që duan të marrin pushtetin dhe jo ai që është në pushtet. Por, duket se Sali Berisha është i vetmi politikan që i bëjnë grushte shteti edhe kur është në pushtet, edhe kur është në opozitë.
