E FUNDIT: Pazarin për Sazanin, Edi Rama e filloi zyrtarisht në prill 2017, me një udhëzim të ish-ministres Milva Ekonomi

Nga nisma “turizëm historik” te resorti 1.4 miliardë euro, si u përgatit skema e dhurimit të ishullit përmes udhëzimeve, marrëveshjeve dhe PPP-ve.

Sipas dëshmisë së Sibel Edmonds dhe dokumenteve zyrtare të vitit 2017, pazari për ishullin e Sazanit ka nisur shumë përpara se të merrte formë publike. Ndërsa në SHBA negociohej në 2016, në Shqipëri u ndërtua skenari institucional përmes Bashkisë së Vlorës, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Projekti u prezantua si zhvillim turistik, por u struktura si koncesion 30-vjeçar me përjashtime fiskale dhe fitime të garantuara për privatët. Sot, ishulli është dhënë falas për një resort luksoz 1.4 miliardë euro, ndërsa investimi ende nuk ka nisur, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën, interesin publik dhe motivin real të marrëveshjes.

Në publikimet që “Pamfleti” i bëri video-rrëfimit të Sibel Edmonds, ish-përkthyese e FBI-së dhe sinjalizuese e njohur e sigurisë kombëtare amerikane, publikuar më parë në platformën “Patreon”, ajo ka deklaruar se pazari për ishullin e Sazanit kishte nisur që në vitin 2016.

Sipas saj, projekti në Sazan mori miratimin pas zgjedhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë, moment kur qeveria shqiptare iu afrua Jared Kushnerit, por miratimi ishte formalitet, sepse pazari ishte bërë shumë vite më parë.

Ndërsa në suitat dhe restorantet luksoze në SHBA pazari informal ishte mbyllur në vitin 2016, në Shqipëri ai nisi zyrtarisht në muajin prill 2017, nëpërmjet një nisme për gjoja kthimin e ishullit të Sazanit në qendër vizitorësh për turizëm historik.

Për përgatitjen e skenarit shkresor të këtij pazari, kryeministri Edi Rama përdori Bashkinë e Vlorës si njësi vendore që e ka ishullin në hartën e territorit të saj dhe që e kishte në administrim të përbashkët me Ministrinë e Mbrojtjes.

Pas një muaji, Bashkia e Vlorës deklaroi tërheqjen nga projekti për kthimin e ishullit të Sazanit në qendër turistike, me justifikimin e pamundësisë financiare, duke kërkuar që projektin ta zbatonte qeveria, në emër të së cilës Edi Rama futi në lojë Ministrinë e Ekonomisë dhe Turizmit.

Ish-ministrja Milva Ekonomi bëri propozimin për t’ia dhënë ishullin subjekteve të huaja private si PPP, me arsyetimin se as ministria nuk kishte kapacitet për ta kthyer në qendër turistike, duke vepruar sipas skenarit të diktuar nga Edi Rama.

Rruga për të rrëmbyer ishullin e Sazanit u hap me Udhëzimin nr. 4360, datë 28 prill 2017, me objekt “Për zhvillimin infrastrukturor dhe organizimin e vizitave turistike në ishullin e Sazanit”, të firmosur nga ministrja e Ekonomisë dhe Turizmit, Milva Ekonomi.

Skenari fillestar koncesionar ishte me afat 30 vite dhe investim të huaj 450 milionë euro, me kushtin që gjatë periudhës së koncesionit kompania të mos paguante taksa lokale dhe qendrore; ndërsa për 10 vitet e para nuk do t’i jepte qeverisë shqiptare asnjë qindarkë nga fitimi, me justifikimin se 50% e të punësuarve do të ishin banorë të Vlorës.

Me urdhër të kryeministrit Edi Rama, puna për hartimin e koncesionit të ishullit të Sazanit filloi më 25 maj 2017, vetëm një muaj pas udhëzimit të ish-ministres Milva Ekonomi.

Por tre javë para udhëzimit të saj, në funksion të dhurimit të Sazanit, ishte firmosur Marrëveshja nr. 2751, datë 5 prill 2017, mes Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mbrojtjes, Bashkisë së Vlorës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, si ministri e linjës së sigurisë kombëtare.

Atëherë u fol se përfitues i ishullit të Sazanit do të ishte një biznesmen i fuqishëm i huaj, me lidhje të forta politike në SHBA, dhe një këshilltar i huaj, të dy miq të Edi Ramës, të cilët kishin vizituar disa herë me avion privat dhe jahte ishullin e Sazanit.

Prej 14 muajsh, pazari i Edi Ramës për ishullin e Sazanit është bërë fakt, duke ia dhënë falas për ndërtim resorti luksoz me vlerë 1.4 miliardë euro dhëndrit dhe vajzës së Presidentit të SHBA, Donald Trump, të cilët ende nuk e kanë nisur investimin./Pamfleti