Pakti në errësirë i Edi Ramës me grekët që do të lëkundë drejtësinë!

Nën petkun e “këshillimit teknik”, kërkesa për ekspertë grekë dhe italianë shihet si lëvizje politike për të zbutur presionin ndaj qeverisë dhe për të riformatuar balancat në SPAK…

Në Bruksel, Edi Rama ka kërkuar që ndryshimet në drejtësi të konsultohen me ekspertë italianë dhe grekë, por kjo nismë shihet më shumë si negociatë politike sesa si asistencë teknike. Me influencën e Athinës në strukturat europiane dhe perceptimet për rol të saj në hetimet e ndjeshme, kërkesa ngre pikëpyetje mbi qëllimin real të reformës së re. Në vend të ekspertizës së BE-së apo vendeve me sisteme të konsoliduara drejtësie, zgjedhja e Greqisë duket si lëvizje strategjike për baraspeshë politike. Procesi, i zhvilluar në terr, mund të prodhojë pasoja të thella për balancat institucionale dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët europianë.

Edi Rama ka kërkuar në Bruksel që ndryshimet në Kodin e Procedurës, por edhe në strukturën e drejtësisë, të bëhen në këshillim me ekspertë italianë dhe grekë.

Këtë paketë, kryeministri e ka artikuluar prej kohësh në takime me diplomatë europianë, por siç mësohet, zyrtarisht e ka paraqitur gjatë darkës informale me Presidentin e BE, Antonio Costa, në kryeqytetin europian.

Në vija të trasha, kërkesa përbën një konsultim, apo angazhim të ekspertëve të qeverisë italiane dhe greke, përkatësisht juristë nga këto vende, për të hartuar një draft mbi drejtësinë që t’i përafrohet standardeve të BE-së.

Megjithatë, kjo më shumë sesa një këshillim teknik ekspertësh, duket si një negociatë politike, sidomos me Greqinë, të cilën Edi Rama po e sheh si një faktor që po i ngec në fyt.

Influenca e Athinës në institucionet europiane, sidomos në lidhje me Ballkanin, është shumë e rëndësishme. Kjo daton që nga viti 2003, kur në Samitin e Selanikut Greqia u caktua si patronazhuese e vendeve të rajonit që kërkojnë anëtarësimin në BE.

Si rrjedhim, influenca greke në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, e sidomos në agjencitë që lidhen me drejtësinë shqiptare, është e ndjeshme. Madje, Rama ka krijuar bindjen se disa nga hetimet më të forta të SPAK-ut kanë pasur shtysë greke, si pasojë e përplasjes me rastin Beleri.

I gjendur nën një rrethim real, Edi Rama duket se po kërkon një negociatë me Athinën, të fshehur nën petkun e “këshillimit të ekspertëve për reformën në drejtësi”. Një paketë që duket më shumë si një lëvizje politike sesa si një konsultim teknik.

Në thelb, bëhet fjalë për një negocim politik mes qeverive, ose më qartë, për një përpjekje të Edi Ramës për të zbutur presionin grek, duke qenë se Athina ka influencë të ndjeshme në strukturat e drejtësisë.

Negociatat e tilla, si çdo proces i këtij lloji, përfshijnë koncesione për të dyja palët. Nuk është sekret që influenca e Athinës në strukturat e SPAK-ut dhe GJKKO-së perceptohet si solide. Zëra diplomatikë në Tiranë thonë se edhe kur kancelari të fuqishme kanë kërkuar shtyrjen e një çështjeje, ndërhyrjet janë bërë përmes kanaleve në kryeqytetin grek.

Kjo nënkupton një tryezë bisedimesh, ku Edi Rama ka pranuar peshën e faktorit grek, duke kërkuar dhe ofruar kushte në mënyrë reciproke.

Bisedime që, të paktën në këtë fazë, zhvillohen në terr të plotë. Pse qeveria shqiptare nuk ka kërkuar ndihmë ekspertize nga burokracia e BE-së në Bruksel, apo nga vende me sisteme drejtësie të konsoliduara si Gjermania, Holanda, Belgjika apo Luksemburgu? Pse është orientuar pikërisht drejt dy vendeve që nuk e kanë drejtësinë pikën e tyre më të fortë?

Duket qartë se kemi të bëjmë me një lëvizje me gravitacion politik. Kërkesa për Italinë dhe Greqinë synon të krijojë një baraspeshë, por dihet se ndërsa Roma nuk ka çështje të hapura kontestuese me Tiranën, Athina ka. Dhe kjo është një levë që nuk do ta lërë pa e përdorur.

Sa do t’i kushtojë kjo Shqipërisë? Sipas të gjitha gjasave, steka e kërkesave do të rritet. Nëse procesi vazhdon të zhvillohet në terr, siç ka nisur, përfundimi mbetet i paqartë.

Nuk ka dyshim që Athina ka ekspertë të drejtësisë që mund të kontribuojnë në një reformë të re, por ata nuk e njohin aq thellë realitetin shqiptar. Shqipëria ka ekspertë të mjaftueshëm për të adresuar ngërçet ekzistuese. Logjika e ndihmës greke nuk duket thjesht teknike; dyshimet për një “kalë Troje” janë të pashmangshme.

Edi Rama duket se po kërkon një negociatë për veten e tij, një lëvizje që mund të prodhojë pasoja më të mëdha se kriza aktuale. Ndoshta edhe përfitime, por kur gjithçka zhvillohet në errësirë, është e vështirë të presësh një rezultat të qartë dhe pozitiv./Pamfleti