Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka uruar formimin e qeverisë së re të Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë me ekzekutivin e ri. Ndërkohë, në Shqipëri nuk pati një reagim të ngjashëm pas formimit të qeverisë së re…
Pavarësisht ftesës për Bordin e Paqes, Edi Rama duket se nuk përfillet shumë nga amerikanët. Sado kreu i qeverisë shqiptare ka tentuar prej një viti t’i seviloset administratës Trump, sa me Richard Grenell aq edhe me Kushner, sërish nuk ia ka dalë.
Trump ka mbi 1 vit në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe Rama nuk ka bërë asnjë vizitë zyrtare në DASH, teksa edhe në Tiranë është injoruar shpesh nga amerikanët. Në nëntor erdhi në Tiranë Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit në SHBA, Mark Fleming. Ai zhvilloi shumë takime, por Ramën e injoroi.
Ditët e fundit ishte në Tiranë Drejtori i Zyrës për Europën dhe Azinë i Byrosë së Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit të Departamentit të Shtetit, Mark Tervakoski. Ai takoi presidentin, krerët e SPAK, BKH dhe shumë të tjerë, por jo Ramën.
Mirëpo goditja më e madhe i ka ardhur Edi Ramës sot. Ambasada e SHBA në Prishtinë ka uruar krijimin e qeverisë së re të Kosovës.
Edhe pse ka pasur shumë përplasje me Kurtin dhe madje është kërcënuar disa herë me sanksione, SHBA sërish i ka shtrirë Kurtit dorën e bashkëpunimit: “Ambasada e SHBA-së mirëpret formimin e kuvendit dhe qeverisë së Kosovës. Ne mezi presim të punojmë me qeverinë e re për të çuar përpara prioritetet e përbashkëta, duke përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin e ndërsjellë ekonomik”.
Por kjo deklaratë bie ndesh me atë të ambasadës amerikane në Tiranë, të bërë pas zgjedhjeve të 11 majit. Përveçse erdhi 2 javë me vonesë, ambasada në reagimin e saj nuk bëri asnjë urim për fituesin: “Urojmë popullin e Shqipërisë për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë”.
Ndërkohë, kur u formua qeveria e re, nuk pati asnjë lloj reagimi, ndryshe nga sa ka ndodhur sot me Kosovën. Pra Ramës i “rroftë” Bordi i Paqes, pasi duket qartë se amerikanët nuk e përfillin shumë. Edhe pas Bordit, me shumë gjasë, fshihen interesa të tjera dhe nuk është çudi që Shqipëria të mbushet me palestinezë. /Pamfleti
