Kryeministri Edi Rama doli sot publikisht në krah të Kryeinspektorit të Përgjithshëm, ish-deputetit të PD, Dashnor Sula, për të prezantuar fazën e re të reformës së sistemit të inspektimeve. Rama vlerësoi formimin juridik të Sulës, por nuk la pa përmendur edhe përplasjet që ky i fundit ka pasur në Parlament gjatë karrierës së tij politike.
Kryeministri theksoi se Sula vjen nga një pjesë e karrierës ku ka qenë aktiv në politikë, por më parë ka shërbyer si protagonist në sistemin e drejtësisë. Rama theksoi rëndësinë e formimit juridik në kryerjen e detyrës, por gjithashtu nënvizoi sfidat që lidhen me zbatimin praktik të punëve për të cilat Sula ka kritikuar më parë në Parlament.
“Është një sfidë personale, pasi edhe mua nuk më ka kursyer në Parlament. Tani të shohim si do t’i kryejë detyrat për të cilat nuk la gjë pa thënë më parë. Të kalosh nga teoria tek praktika është si të kalosh nga poezia tek romani,” tha Rama, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis politikës dhe institucioneve shtetërore për realizimin e objektivave të reformës.
