Po çfarë faji i ka doktori, kur ‘lepurushët’ e FRPD që u rritën nën hijen e Belind Këlliçit u kthyen në zhvatës të qytetarëve të BE, pikërisht asaj BE të cilën ‘Baca’ e ka pikë të dobët… Turp!
Baca del çdo ditë dhe flet për reforma të mëdha, për rrëzim pushteti, për rikthim të moralit në politikë, për marrëdhënie të forta me Bashkimin Europian dhe për respekt ndaj partnerëve strategjikë, ndërsa në oborrin e tij politik, në forumin që duhej të prodhonte idealistë dhe jo financierë të telefonave, disa nga lepurushet e rritura me dorën e kumbarit të tyre Belind Këlliçi sot përmenden si autorë të skemave që kanë zhvatur miliarda euro qytetarëve të Bashkimit Europian përmes call centerash dhe investimesh të rreme, duke e kthyer tribunën e doktorit në një skenë ironie të hidhur.
Belind Këlliçi, që u rrit në krye të Forumit Rinor të PD-së dhe e mbajti për vite nën kontroll të plotë, krijoi rreth vetes një rreth të mbyllur djemsh të rinj që nga struktura partiake kaluan në struktura biznesi, mes tyre Klaus Shaqiri dhe Luis Hoxha, miq të ngushtë të FRPD-së, të cilët sot dalin të lidhur me kompani, ortakëri portuale, struktura marketingu dhe rrjete call centerash që kanë zhveshur nga kursimet qytetarë të vendeve anëtare të BE-së, pikërisht ata qytetarë që doktori i përmend si partnerë strategjikë dhe aleatë të Shqipërisë.
Luis Hoxha, ish-aktivist i forumit dhe ortak në “Albanian Stevedoring Company” me Reshard Këlliçin, vëllain e ‘Belos’ rezulton i përfshirë në një rrjet të gjerë kompanish me aktivitet në port, energji, logjistikë dhe media, ndërsa në dosje dhe hetime përmendet si figurë qendrore në call center që kanë zhvatur qytetarë europianë me investime të rreme, para që më pas janë shpërndarë në pasuri të paluajtshme, restorante, kompani shërbimesh dhe struktura të tjera biznesi që sot duken si histori suksesi, por që mbajnë pas vetes hijen e mashtrimit.
Klaus Shaqiri, një tjetër produkt i forumit të drejtuar nga Këlliçi, rezulton sipas regjistrit tregtar i lidhur me kompaninë “Finantex”, e cila ka ndryshuar emër në “Career Decision Marketing & Design”, ndërsa aktiviteti i strukturave të lidhura me të përmendet në hetime për mashtrime financiare ndërkombëtare, duke e kthyer forumin rinor në një inkubator telefonash që punojnë jo për ide politike, por për bilance që fryhen me para të marra nga partnerët tanë europianë.
Në vijim, Pamfleti do të publikojë adresat e apartamenteve që dyshohet se janë kthyer në call center, ku kjo celulë ka operuar nga Durrësi në Tiranë, si dhe do të zbardhë lidhjen e Klaus Shaqirit me një zyrtarë të lartë socialist, për të cilin ngrihen dyshime se e ka favorizuar në veprimtarinë e tij kriminale të zhvatjes me call center.
Ndërkohë Baca Sali flet për Europën me seriozitet dhe për partneritet me SHBA-në me ton solemn, ndërsa ‘skuthët’ e tij të vegjël në FRPD përmenden si autorë grabitjesh financiare ndaj pikërisht atyre vendeve që ai kërkon t’i bindë për seriozitetin e partisë së tij, duke krijuar një tablo ku doktori mban fjalime për moral dhe lepurushet e forumit mbajnë llogaritë e call centerave.
Partia Demokratike e Shqipërisë ka nevojë për një reformim të thellë, sepse nga forumi që duhej të prodhonte liderë ka dalë një brez që përmendet në dosje mashtrimi financiar, pastrim parash dhe investime të dyshimta, duke e kthyer krenarinë e dikurshme në një problem serioz reputacioni, dhe ndërsa Baca kërkon revolucion politik, lepurushet e tij po i gërryejnë themelet me telefon në dorë dhe me bilance që rriten mbi kursimet e qytetarëve europianë.
Në fund, arrestimi i gazetarit Elio Laze prodhoi për publikun shqiptar, përveç pretendimit për gjobëvënie, e cila nëse provohet është e dënueshme sipas ligjit, edhe një lajm shumë më të rëndësishëm që nuk kishte rënë në vëmendjen e gjerë: se disa nga të rinjtë e FRPD rezultojnë të përfshirë në zhvatje të mëdha në dëm të shtetasve europianë përmes call center-ave, duke i rrënuar kështu imazhin një partie kaq perëndimore! /Pamfleti
