Kryeministri Edi Rama pritet të propozojë emrin e ri që do të mbajë postin e zv.kryeministrit, pas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë për të lënë në fuqi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.
Në korridoret e politikës dhe të qeverisë po përflitet emri i Delina Ibrahimajt si kandidate potenciale për të marrë detyrën e numrit dy të qeverisë. Megjithatë, deri në këto momente nuk ka një vendim apo njoftim zyrtar.
Si nisi çështja?
Në fund të muajit nëntor, SPAK njoftoi akuzën ndaj Ballukut në lidhje me hetimet për tunelin e Llogarasë. Më pas, GJKKO vendosi pezullimin e saj nga detyra.
Qeveria e cilësoi vendimin si ndërhyrje në ndarjen e pushteteve, ndërsa procesi vijoi me kërkesën për heqjen e imunitetit në Kuvend dhe autorizimin për arrest.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me votim 4 me 4, la në fuqi pezullimin, duke e detyruar Kryeministrin të propozojë një zëvendësues për postin e zv.kryeministrit.
Kush është Delina Ibrahimaj?
Delina Ibrahimaj ka lindur më 23 dhjetor 1983 në Tiranë. Që prej shtatorit 2025 ajo mban postin e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit.
Më herët ka shërbyer si:
- Ministre e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit
- Ministre e Financave dhe Ekonomisë
- Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve
- Drejtore e Përgjithshme e INSTAT
Ibrahimaj ka titullin PhD në Bankë dhe Financë nga Universiteti i Romës “Tor Vergata”, si dhe Master dhe Bachelor nga Universiteti “Luigi Bocconi” në Milano.
Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e disa bordeve drejtuese dhe ka ndjekur trajnime në fushën e antikorrupsionit dhe mirëqeverisjes.
