Një precedent i rrezikshëm që lëkund marrëveshjen mes Tiranës dhe Romës, duke ekspozuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Ky vendim gjyqësor, mund të jetë fillimi i një fature financiare marramendëse për qeverinë Meloni dhe një njollë diplomatike për Shqipërinë…
Ajo që nisi si një projekt pionier dhe si objekt diskutimesh në mbarë Evropën, po kthehet me shpejtësi në një makth ligjor dhe një gropë financiare për qeverinë e Giorgia Melonit në Itali.
Pakti Rama-Meloni, i cili parashikonte transferimin e emigrantëve drejt qendrave në Shqipëri si një zgjidhje magjike për krizën e azilkërkuesve, ka pësuar goditjen më të rëndë deri më sot.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Romës jo vetëm që nxjerr zbuluar procedurat e jashtëligjshme, por shënon një krisje të pariparueshme në marrëdhënien dypalëshe, duke vendosur një precedent të rëndë financiar që mund të fundosë të gjithë operacionin.
Sipas një raportimi të detajuar nga gazeta prestigjoze italiane “Il Fatto Quotidiano”, Gjykata e Romës ka dhënë një vendim shokues duke e dënuar Ministrinë e Brendshme italiane me plot 700.000 euro dëmshpërblim për rastin e një shtetasi algjerian.
Ky person u transferua në Shqipëri pa transparencë dhe në kundërshtim të plotë me konventat ndërkombëtare. Sipas shkrimit të gazetarit Franz Baraggino, ky nuk është thjesht një gabim teknik, por një “sjellje neglizhente” që ka shkelur brutalisht sferën private të të drejtave personale të individit.
Gjyqtari Corrado Bile ka qenë i pamëshirshëm në konkluzionet e tij: “Ministria e drejtuar nga Matteo Piantedosi është fajtore për mosrespektim të rregullave të administrimit të mirë”.
Dokumenti i publikuar nga “Il Fatto Quotidiano” zbulon se transferimi i algjerianit nga qendra e rehabilitimit në Itali drejt Gjadrit ndodhi pa asnjë urdhër të shkruar apo të arsyetuar.
Shifra rekord prej 700 mijë eurosh pasqyron dëmin e jashtëzakonshëm moral dhe fizik që i është shkaktuar apeluesit, i cili u shkëput dhunshëm nga familja dhe fëmijët e tij të mitur që jetojnë në Itali.
Një element tronditës që sjell gazeta është pretendimi se autoritetet italiane e kanë gënjyer emigrantin për destinacionin e tij deri në sekondat e fundit të nisjes. “Vendimi përcakton se personit të transferuar i është thënë në mënyrë të rreme se do të dërgohej në një qendër tjetër në Itali, konkretisht në Brindizi”, shkruan Baraggino.
Në vend të kësaj, ai e gjeti veten në bordin e një mjeti drejt Shqipërisë, me kyçet e duarve të lidhura gjatë gjithë udhëtimit, pa asnjë informacion për fatin e tij. Avokati i çështjes, Gennaro Santoro, shpjegon për gazetën italiane se qendra në Shqipëri “po shumëfishon në mënyrë eksponenciale shkeljen e të drejtave”.
Ai paralajmëron se ky vendim është vetëm “maja e ajsbergut”, pasi Santoro po trajton edhe dy çështje të tjera identike që priten të kenë të njëjtin fat. Santoro thekson se fakti që në qendrat CPR emigrantët përfundojnë për shkelje administrative dhe jo për krime, e bën trajtimin me pranga dhe izolimin në Shqipëri një akt ekstrem që bie ndesh me parimin e shenjtë të ‘habeas corpus’.
Paralajmërimi për Shqipërinë
Ndërsa qeveria italiane po përballet me faturat e dëmshpërblimeve marramendëse, ky zhvillim ngre alarmin e kuq edhe për Tiranën zyrtare. Edhe pse kryeministri Edi Rama ka këmbëngulur vazhdimisht se Shqipëria thjesht ofron territorin dhe se juridiksioni mbetet tërësisht italian, realiteti juridik po tregon se përgjegjësia nuk mund të ndahet me thikë.
Ekziston një rrezik real që edhe vetë shteti shqiptar të përfshihet në valën e padive në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Duke qenë se këto shkelje – përfshirë trajtimin çnjerëzor, mashtrimin e destinacionit dhe mungesën e urdhrave të arsyetuar – po ndodhin fizikisht brenda kufijve të Shqipërisë, Tirana nuk mund të pretendojë se është thjesht një “spektatore”.
Nëse Shqipëria pranon në territorin e saj individë që sillen me forcë dhe në shkelje të Nenit 8 të KEDNJ-së (e drejta për jetë private dhe familjare), ajo rrezikon të etiketohet si një “bashkëpunëtore në paligjshmëri”.
Dënimi prej 700 mijë eurosh është një paralajmërim i qartë se “Modeli Gjadër” po kthehet në një dështim shumë të kushtueshëm. Shqipëria mund të gjendet shumë shpejt nën shënjestrën e organizatave ndërkombëtare, duke u akuzuar se lejon funksionimin e strukturave që prodhojnë shkelje sistematike.
Krisja e paktit Rama-Meloni nuk është më vetëm retorikë politike. Ajo është tashmë një faturë financiare dhe morale që mund të rëndojë mbi imazhin e Shqipërisë për vitet që vijnë./Përgatiti Pamfleti
