Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa rezulton se vetëm gjatë pesë viteve të fundit ka përfituar rreth 7.5 milionë euro tendera publikë përmes dy kompanive në pronësi të bashkëshortit të saj, Fabian Goçi. Me sa duket për të evituar ekspozimin e këtyre interesave me pushtetin, zonja Zhupa nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit Fabian Goçi, edhe pse ligji e parashikon një detyrim të tillë, qoftë edhe bashkëjetues.
Fabian Goçi është pronar i kompanisë së hidrokarbureve A&T, me nipt L32320008H. Përmes kësaj kompanie, gjatë 5 viteve të fundit ka përfituar rreth 7.4 milionë euro para publike nga bashkitë e drejtuara nga PS, sidomos nga Bashkia Tiranë, por edhe nga ndërmarrje publike.


Fabian Goçi është pronar edhe i kompanisë tjetër të karburanteve 2A2F – L OIL, me nipt L41915013M. Përmes kësaj kompanie ka përfituar 130 mijë euro nga buxheti i shtetit, kryesisht nga pushteti vendor.


Balkan Petrolium Internacional dhe Balkans Petroleum Albania janë dy kompani të tjera nafte, ku Goçi është aksioner me 25 për qind. Por, dy kompanitë kanë pezulluar aktivitetin që nga viti 2014. Një tjetër kompani është “Diga”, ku Fabian Goçi, rezulton të jetë aksioner me 15 për qind. Një tjetër kompani ndërtimi ku Fabian Goçi, është aksioner me 30 përqind, është firma ndërtimore “BA-Konstruksion”, themeluar në muajin nëntor të vitit 2019 me tre aksionerë.

Ndëkaq, Goçi nuk figuron në deklaratat e pasurisë së zonjës Ina Zhupa, ndonëse ligji parashikon qartë që një subjekt i deklaruar duhet të deklarojë pasurinë e bashkëshortit ose bashkëjetuesit. Edhe deputeti i PD Belind Këlliçit nuk e deklaroi pasurinë e bashkëjetueses, por pasi i thirrën në SPAK ndryshoi mendje, duke përmbushur detyrimin ligjor.
Një dosje evazioni fiskal
Emri i kompanisë së hidrokarbureve A&T me pronar Fabian Goçin ka qenë A.K.F PETROLEUM OIL. Pikërisht kompania A.K.F PETROLEUM OIL, e zotëruar nga bashkëshorti i Ina Zhupës, është përfshirë në skandalin e evazionit fiskal 5 milionë USD me firmën “Fullpet” që ishte në pronësi të Aurel Prenit, shokut të ngushtë i Fabian Goçit.
Gjatë një procesi hetimor të kryer nga prokuroria e Tiranës, Fabian Goçi në dëshminë e tij para prokurorëve të dhënë në vitin 2015, ka sqaruar se “më datë 7 korrik 2014, kishte marrë nga shoqëria “Fullpet”, si ndihmë financiare, një shumë prej 88.158.170 lekë, nëpërmjet një kontrate huaje datë 5 korrik 2014, shumë të cilën e kishte kthyer, ndërsa dispononte për këtë dhe një deklaratë nga Aurel Preni, administrator i shoqërisë “Fullpet”, të cilin siç tregon Goçi, ai e kishte shok, ndërsa kishte punuar për pak kohë dhe tek kjo shoqëri, si faturist“.
Në dosjen e prokurorisë së Tiranës thuhet se nga të dhënat e marra nga sistemi informatik tatimor ka rezultuar se 17 subjekte juridike të lidhur mes tyre, ku një grup personash shfaqet në pozicione të ndryshme, administrator, drejtor ekzekutiv, drejtor shitjes, ekonomist, faturist dhe shitjes karburanti, mes tyre dhe personi nën hetim Aurel Preni, sikundër dhe shtetasit Fiqiri Hoxha dhe Fabian Goçi, ku këta të fundit, si përfaqësues ligjor të shoqërisë “AKP Petroleum” apo si person fizik, mbas evidentimit dhe kërkimit të borxhit tatimor ndaj Shoqërisë “Fullpet”, kanë realizuar transaksione me Aurel Prenin, si përfaqësues ligjor të kësaj shoqërie, duke përfituar nga kjo shoqëri pasuri asete dhe para, ndërsa ajo rezulton të kishte fshehur të ardhurat që i nënshtrohen tatimeve, si dhe të mos kishte paguar në afat detyrimet tatimore me gjithë mundësinë e pagimit të tyre.
Një pjesë e këtyre personave, mes tyre dhe Fabian Goçin, u morën të pandehur nga prokuroria dhe dosja u dërgua në gjykatë me 6 të pandehur Androkli Kokthi, ish-drejtor i Tatimeve Tiranë, Ibrahim Aktoz, Ekrem Oztemel, Fabian Goci, Aurel Preni dhe Fiqiri Hoxha.
Prokuroria e Tiranës, kërkoi dënimin e Goçit, me 8 vite burgim për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave”, por treshja gjykuese e kryesuar nga Fatos Qato, urdhëroi pushimin e akuzës për bashkëshortin e Ina Zhupës.
Fatos Qato u shkarkuar më pas nga Vetingu pasi nuk justifikonte pasurinë. Në këtë çështje të vetmit që shpëtuan nga dënimi i drejtësisë ishin Androkli Kokthi dhe burri i Ina Zhupës, Fabian Goçi.
