“DJALI MË MBANTE, NUSJA MË GJUANTE ME SHKOP”- U DHUNUA NGA I BIRI DHE BASHKËSHORTJA E TIJ, 74-VJEÇARJA RRËFEN TMERRIN: AI KA RRAHUR DHE TË ATIN, KA QENË 21 VITE NË BURG

74-vjeçarja Vjollca Murri, e cila pak ditë më parë denoncoi djalin dhe nusen e tij për dhunë, ka treguar detaje tronditëse nga ngjarjet që, sipas saj, kanë ndodhur brenda shtëpisë së saj.

E moshuara ka deklaruar për News 24 se është dhunuar disa herë nga nusja e djalit, ndërsa pretendon se edhe i biri ka ushtruar dhunë ndaj saj dhe bashkëshortit të saj 75-vjeçar.

“Unë jam Vjollca Murri dhe jam 74 vjeçe. Nusja më ka ardhur me bishtin e fshesës me qëllim për të më rrahur. Më ka gjuajtur me shkopin e fshesës. Erdhi djali, më mbante ai dhe nusja më gjuante,” – rrëfen ajo.

Sipas 74-vjeçares, nusja ka nxitur edhe nipin të sillet keq ndaj saj.

“Ajo i dha dy gurë në dorë dhe i tha t’i bjerë gjyshes së vet. Unë i dola djalit përpara. Më akuzuan se kam rrahur nipin, por kjo nuk është e vërtetë,” – thotë e moshuara.

Ajo tregon se është dhunuar tre herë nga nusja, por vetëm tani ka vendosur të drejtohet në polici.

“Isha pre e dhunës, mora një taksi dhe ika. Hera e parë që shkojmë në polici. Policia të më ndihmojë, kërkoj ndihmë,” – shprehet ajo.

Sipas saj, djali ka qenë 21 vite në burg në Greqi dhe, siç pretendon e moshuara, nuk ka kontribuar financiarisht për familjen.

“Shtëpinë e kam bërë unë dhe burri im me djalë të vogël. Ai ka rrahur edhe babanë e vet. Ne madje e kemi ndihmuar kur ka pasur gjyqe në Greqi,” – shton ajo.

E moshuara kërkon ndërhyrjen e institucioneve, duke deklaruar se ndodhet në kushte të vështira dhe se situata është bërë e papërballueshme.

Ngjarja është tashmë në vëmendjen e autoriteteve dhe pritet që institucionet përkatëse të verifikojnë rrethanat dhe të marrin masat e nevojshme.