Ligjet për bastet online dhe kultivimin e kanabisit kanë hyrë në fuqi prej vitit 2023–2024, por mungesa e akteve nënligjore ka bllokuar procesin e licencimit…
Parlamenti miratoi ligjet për legalizimin e basteve online dhe kultivimit të kanabisit me synim formalizimin e tregut dhe rritjen e të ardhurave buxhetore. Megjithatë, ministritë përgjegjëse nuk kanë nxjerrë aktet nënligjore brenda afateve të përcaktuara, duke vonuar dhënien e licencave. Ndërkohë, komisionet përkatëse janë krijuar dhe kanë zhvilluar mbledhje të paguara, por pa hapur proceset e aplikimit. Situata ka ngritur debate mbi zbatimin e ligjit dhe mbi ndikimin e kësaj vonese në aktivitetet e palicencuara dhe në të ardhurat e shtetit.
Në Shqipëri janë dy biznese ilegale: bastet online dhe kanabiisi, që ushtrohen si aktivitet nga grupet kriminale të lidhura me kupolën e qeverisë, dhe për rrjedhojë, janë të paprekshëm nga policia.
Për legalizimin e tyre, parlamenti, ka miratuar dy ligje të veçanta që në vitet 2023-2024, me qëllim ndërprerjen veprimtarive kriminale dhe sigurimin e të ardhurave për buxhetin e shtetit.
Por kryeministri Edi Rama, prej 3 vitesh nëpërmjet ish-Ministres së Financave Anila Denaj, ish-Ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu dhe tashmë prej ministrave Petrit Malaj e Evis Sala, nuk po lejon nxjerrjen e akteve nënligjore dhe dhënien e licencave për bastet e kanabasin.
Më 1 prill 2024, hyri në fuqi ligji për lejimin e basteve online, sipas të cilit, ministria e Financave, duhej të kishte nxjerrë aktet nënligjore brenda korrikut 2024 e t’i paraqiste në qeveri.
Brenda muajit shtator 2024, aktet duhej t’i miratonte qeveria, ndërsa ministria e Financave, si dikaster përgjegjës, brenda muajit tetor të atij viti, duhej të kishte përzgjedhur dhe pajisur 10 kompani me licenca për aktivitetin e basteve online.
Më 21 korrik 2023, hyri në fuqi ligji për lejimin e kultivimit të kanabisit, në të cilin thuhet se, ministria e Shëndetësisë, duhej të kishte nxjerrë aktet nën ligjore e t’i kishte dorëzuar në qeveri për miratim brenda muajit tetor 2023, ndërsa brenda muajit dhjetor të jepeshin licencat.
Më 22 maj 2024, pa u miratuar aktet nënligjore, kryeministri Edi Rama firmosi tre vendime: një për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Kanabisit, ndërsa dy vendime për krijimin e komisioneve që do licencojnë bastet online dhe aktivitetin e kanabisit.
Komisioni për licencimin e kompanive të basteve, përbëhet nga Ministri i Financave, 1 përfaqësues nga ministria i Ekonomi-Inovacionit, 1 nga ministria i Shendetësisë e Çështjeve Sociale dhe 1 nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.
Komisioni i licencimit të kanabisit, përbëhet nga ministri i Shëndetësisë e 2 vartës të tij, 1 nga ministria e Brendshme, 2 nga ministria e Bujqësisë dhe 1 nga Ministri i Ekonomi-Inovacionit.
Anëtarët e dy komisioneve të licencimit të basteve e kanabisit, paguhen nga 300 Euro bonus për çdo mbledhje, në total 12 mbledhje në vit, ndërsa kryetarët me 350 Euro; dhe sipas informacionit që disponon “Pamfleti”, kanë deklaruar se kanë bërë çdo muaj e marrin pagesat.
Por prej vitit 2024, nuk kanë hapur garat e licencimit të kompanive, sepse ministri i Financave dhe ministri i Shëndetësisë, nuk kanë nxjerrë aktet nënligjore, duke lënë terren të lirë për aktivitetet kriminale të basteve e kanabisit.
Që nuk po zbatojnë ligjet për licencat, nuk besohet që ministrat ta bëjnë pa urdhërin e kryeministrit Edi Rama, kur dihet që me një fjalë të tij, ata kanë firmosur afera të paligjshme.
Nëse Edi Rama, nuk është nën presionin e mafies së basteve online dhe mafies së kanabisit; atëherë është bashkëpunëtor me ta, për të lejuar këto aktivitete ilegale, të cilat po kryhen hapur të pa prekur nga policia e shtetit.
Grupet kriminale të lidhura me kupolën e pushtetit dhe të policisë së shtetit, ushtrojë aktivitet bastesh pa licenca; e po kështu, ato të kanabisit, prej të cilave, nëse do ishin licencuar kompanitë, buxheti i shtetit do përfitonte 110 milionë Euro në vit.
Informacione konfidenciale nga ministria e Financave dhe ministria e Shëndetësisë, thonë se me urdhër verbal të Edi Ramës, licencat për bastet e kanabisin, nuk do jepen deri në fund të vitit 2027, pra, deri atëherë do ushtrojnë aktivitet ilegal.
Është folur shpesh, që në biznesin e basteve ilegale është i përfshirë Olsi Rama dhe grupet pranë tij e pranë disa ministrave; ndërsa në aktivitetin ilegal të kanabisit, flitet se është i përfshirë Tomë Doshi e disa grupe të tjera kriminale, që janë lidhje të errëta të Edi Ramës./Pamfleti
