Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, përmendi në seancë plenare rastin e vëllait të deputetes së Partisë Demokratike, Elda Hoti, i cili është arrestuar së fundmi në Romë, i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.
Në fjalën e tij, Balla deklaroi se nëse një rast i tillë do t’i përkiste një deputeti të PS-së, sipas tij, opozita do të kishte reaguar duke bllokuar foltoren dhe duke kërkuar arrestime. Ai shtoi se mazhoranca nuk do të mbajë të njëjtin qëndrim.
“Imagjinoni sikur ngjarja e ndodhur ndaj familjarëve të një deputeteje të PD t’i kishte ndodhur njërit prej PS. Ju do të kishit ardhur këtu, do të kishit bllokuar foltoren, do të bërtisnit: në burg, arrestojeni. Është grup i strukturuar kriminal, se vëllai dhe motra. Ç’punë ka motra se çfarë bën vëllai në kuptimin e ligjit? Nuk keni për të dëgjuar asnjë deklaratë nga ne kështu. Se na doli narkosi vëllai i Elda Hotit. Nuk do të bëjmë ne asnjë deklaratë, as për rastin në fjalë, meqë narkosin e paskeni brenda shtëpisë tuaj”, u shpreh Balla.
