Sërish tym e flakë sot?! PD proteston në përvjetorin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës

Partia Demokratike do të mbajë nesër, më 20 shkurt, protestën e radhës para Kryeministrisë, në orën 18:00. Data përkon me përvjetorin e rrëzimit të bustit të ish-diktatorit Enver Hoxha, një simbolikë që opozita e ka lidhur me thirrjen për tubim.

Në dy protestat e fundit të organizuara nga PD janë shënuar episode me tym dhe flakë, ndërsa ka pasur tensione në përfundim të tubimeve. Sinjalet paraprake flasin për një mobilizim të lartë, ndërsa autoritetet janë përgatitur për çdo skenar.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë protestës. Mbi 1000 efektivë do të jenë të angazhuar në terren dhe në gatishmëri, përfshirë Forcat e Rendit, Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe RENEA-n, si edhe agjentë civilë.

Duke nisur nga ora 23:45 e së enjtes nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”, deri në përfundim të tubimit. Nga ora 15:00 e së premtes do të bllokohet qarkullimi i automjeteve në segmentin nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Në varësi të zhvillimit të protestës, mund të ketë kufizime të tjera të përkohshme në akse të ndryshme rrugore. Policia e Tiranës njofton se janë parashikuar devijime të trafikut nëpërmjet rrugëve alternative dhe u bën apel qytetarëve të shmangin lëvizjet me automjete në zonat që do të bllokohen, si dhe të distancohen nga çdo veprim i kundërligjshëm që cenon rendin dhe sigurinë publike.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar lidhur me protestën e paralajmëruar, duke u kërkuar qytetarëve amerikanë të shmangin lëvizjet e panevojshme në kryeqytet. Në njoftim thuhet se personeli diplomatik është këshilluar të shmangë demonstratën, ndërsa qytetarëve u rekomandohet të monitorojnë mediat lokale dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve vendore, pasi tubime të tilla, edhe kur nisin në mënyrë paqësore, mund të përshkallëzohen dhe të sjellin ndërprerje trafiku e mbyllje rrugësh.