DIOCLETIANI, PERANDORI ILIR I ROMËS QË RIKTHEU RENDIN NË PERANDORINË ROMAKE

BASHKË ME SHTATMADHIN E PATHYESHËM, GJENERALIN E TIJ ILIR, MAKSIMIANIN, PASI ARRITËN SUKSES KUDO NË BOTËN ANTIKE, BRAKTISËN PUSHTETIN DHE U TËRHOQËN NË JETËN E TYRE PRIVATE, DUKE I LËNË TË GJITHË GOJËHAPUR…

DIOCLETIANI (284–305 p.K.)

Diokleciani ishte vendas nga Dalmacia [Iliria]. Ai ishte zgjedhur para vdekjes së Carinus-it, pas së cilës u ngjit në fron si një uzurpator i suksesshëm, si monark i vetëm dhe i padiskutueshëm i botës romake. Duke parë domosdoshmërinë për një shtet më të bashkuar dhe një sundim më të fortë, Diokleciani bashkoi pas vetes, në vitin e dytë të mbretërimit të tij, Maksimianin, një ushtar shtatmadh, i cili e shënoi hyrjen e tij në pushtet duke shtypur një kryengritje të rrezikshme të fshatarësisë në Gali.

Perandoria prej kohësh kishte qenë vazhdimisht, – megjithëse ngadalë, – duke u shpërbërë; dhe lidhjet që e mbanin të bashkuar tani ishin shumë të dobëta. Lufta me Persinë ishte bërë kronike; gotët kërcënonin kufirin në Danub, gjermanët atë në Perëndim; Britania u rebelua në udhëheqjen e Carausius-it, dhe Afrika në të Julianit; fshatarët e Galisë u ngritën për t’u çliruar nga barra e dyfishtë e plaçkitjes: nga armiku dhe nga taksat e qeverisë. Nga kjo mund të kuptojmë gjendjen e çështjeve, që e shtynë Dioklecianin të bashkonte si Cezarë, Galerin dhe Konstancin (292 p.K.), – i pari prej tyre, mori në dorë Lindjen dhe më në fund imponoi një paqe të nderuar ndaj Persisë, e cila megjithatë do të thyej së shpejti; ndërsa i dyti, rivendosi rendin në Perëndim. Lufta në Afrikë ndodhi më vonë, por shkaqet që e bënë të mundur ishin plotësisht të njohura.

Pasi e bashkoi Perandorinë duke shumëfishuar sundimtarët e saj, të cilët punonin në harmoni, Diokleciani ndërmori edhe ndryshime të tjera rrënjësore në shtet. Roma e vjetër kishte vdekur. Senati i saj kishte humbur grimcat e fundit të autoritetit. Censorët, tribunët, – të gjitha shenjat dhe simbolet e lirisë së saj, – ishin zhdukur; dhe tani, edhe gjurma e fundit e tyre u fshi. Kurora dhe oborri u adoptuan nga secili perandor, i cili nuk pretendonte më as ta konsideronte Romën si kryeqytet. Qeverisja u konsolidua duke përqendruar çdo detyrë te kurora; dhe monarkia, nominalisht e kufizuar, u bë plotësisht e varur nga vullneti i sundimtarit të saj. Selia e qeverisë ndryshohej sipas nevojave të kohës ose sipas dëshirës së sundimtarëve. Roma u braktis nga oborri, dhe Milano, Nikomedia, ose ndonjë vend tjetër që tërhiqte vëmendjen apo ofronte përparësi për perandorin, bëhej përkohësisht pasardhësja e saj. Tani çdo perandor kishte oborrin dhe kryeqytetin e vet, dhe Roma, përveç traditave të saj, ishte pak më shumë se një qytet provincial.

Rregullimi i ri bëri mrekulli. Ashtu si Galeriusi që pati sukses në Lindje, dhe Konstanci në Britani, po ashtu edhe Diokleciani i dha fund një kryengritjeje serioze në Afrikë, ndërsa Maksimiani i dëboi gjermanët përtej kufirit. Pasi vendosën paqe dhe një rend të mirë në botë, Diokleciani dhe Maksimiani i habitën nënshtetasit e tyre duke hequr dorë nga e purpura perandorake dhe duke u tërhequr në jetën private (305 p. K.).

Titulli: Rome, from the Earliest Times Down to 476 A. D.
Autori: Robert Franklin Pennell
Botuesi: John Allyn, Boston, 1880