Sali Berisha thotë se “PS është organizatë kriminale por PD do ta respektojë për reformat”!

Kreu i PD, Sali Berisha, e ka quajtur sot Partinë Socialiste organizatë kriminale.

I pyetur nëse deputetët socialistë do të votojnë kundër heqjes së imunitetit të Ballukut, Berisha deklaroi se Partia Socialiste e Shqipërisë “nuk është parti, por organizatë kriminale”, duke e akuzuar për bashkëfajësi dhe mbrojtje të zyrtarëve të implikuar në afera.
Keep Watching

“Ajo është një repart krimi. Ajo parti ka faktuar shqiptarëve që është mater matrix e krimit në Shqipëri. Nuk ka. Ajo parti ka krimin substancën, shpirtin, mendjen e vet. Sepse është ajo parti që ka sjellë këtë situatë, është ajo tolerancë, ajo bashkëfajësi që kanë ata në vjedhje dhe të gjitha, dhe ajo parti nuk është gjë tjetër vetëm parti e krimit. Aty Sara Mile dhe Arkend Balla janë lule çfarë janë ministrat dhe zyrtarët e tjerë të implikuar. Prandaj, unë mendoj se mund ta përdorni fjalën parti, por më shumë se çdo gjë tjetër i shkon fjala organizatë kriminale”, u shpreh Berisha.

Berisha njihet për gjuhën dhe retorikën e tij të ashpër, mirëpo ka një kontrast të madh mes fjalëve të tij dhe veprimeve të PD në Kuvend dhe me gjerë.

Siç ka dalë deri më sot, pavarësisht se çfarë e etiketon Berisha PS-në, PD-së i është dashur që të ulet me socialistët për reforma kyçe si ajo zgjedhore, reforma territoriale apo ndryshime të tjera që kërkojnë konsensus të gjerë.

Nuk po kujtojmë këtu rastin e dy ditëve më parë kur votat e opozitës janë bashkuar me ato të mazhorancës për emërimin e një ish-deputeti të kësaj ‘organizate kriminale’ përfaqësues të Shqipërisë në NATO./TemA