Dështimet e ‘Atij’ si kryetar i PS-së për 21 vite dhe dështimet e kushtueshme për rreth 14 vite si Kryeministër i babëzitur në qeverisjen e vendit…
“Unë i ndërroj partitë për të mbrojtur parimet e mia, nuk i ndërroj parimet për të mbrojtur partinë”. Winston Churchill. Në këtë apel në thelb atdhedashës i jam përmbajtur me thjeshtësi këtij parimi ndriçues që duhet të jetë busulla e çdo shërbyesi publik.
Njëkohësisht, jam vetëdijësuar për risqet e rritura kërcënuese ndaj demokracisë edhe nga dy apele të personaliteteve që më kanë frymëzuar për t’i drejtuar këtë thirrje publike forumeve të Partisë Socialiste:
(i) Konstatimi i Ajnshtajnit se: “Bota nuk është një vend i rrezikshëm për shkak të atyre që bëjnë të keqen, por për shkak të atyre që rrinë e vështrojnë pa bërë asgjë.” Ky mesazh është një goditje ndaj heshtjes sonë kolektive.
Nëse PS-ja është shndërruar në një model autokratik, kjo nuk ka ndodhur vetëm prej vullnetit të babëzitur të Ramës, por sidomos prej heshtjes komprometuese të “njerëzve të mirë” brenda saj, të cilët nuk reaguan/reagojnë kundër atyre që bëjnë të keqen;
(ii) Vdekja e Demokracisë pa Tanke: “Në vendet ku qytetarët binden se vota e tyre nuk vlen më, autokracitë nuk vijnë me tanke, por përmes apatisë dhe dorëzimit.” Prof. Snyder paralajmëron se rreziku më i madh nuk është dhuna fizike, por bindja e kultivuar se ndryshimi është i pamundur.
Kur qytetari dhe anëtari i thjeshtë i partisë dorëzohen, “aristokracia” e re e korruptuar nuk ka më nevojë për forcë, pasi e ka vrarë shpresën. Në librin e tij bestseller, “On Tyranny: Twenty Lessons from the Twentieth Century”, Profesor Snyder argumenton se tirania moderne (neo-autoritarizmi) nuk vjen më me marshime ushtarake apo grushte shteti të dhunshme, por përmes “dorëzimit paraprak” të qytetarëve dhe gërryerjes graduale të institucioneve, kur njerëzit heqin dorë nga besimi te vota dhe e vërteta.
Analiza e mëposhtme ndahet në dy pjesë: (i) Dështimet e ATIJ si kryetar i PS-së për 21 vite dhe (ii) dështimet e kushtueshme për rreth 14 vite si Kryeministër i babëzitur në qeverisjen e vendit.
-Profili si Kryetar i PS-së dhe asgjësimi i demokracisë partiake përfshin:
(i) Gjenezën e korrupsionit dhe vjedhjes së pronave: Që në hapat e parë, Ai konturoi profilin e tij përmes korrupsionit në investimet e dikastereve, moskompensimit të pronarëve dhe keqpërdorimit të pronave publike për interesa klienteliste;
(ii) Mentaliteti “L’État, c’est moi” (Shteti jam unë): Qeverisja me “spatë në dorë” që nga Bashkia ishte prova e një mentaliteti antishet, ku vullneti personal mbivendoset egërsisht mbi institucionet;
(iii) Mungesa e qelizave shtetformuese: AI ka konfirmuar në çdo post se nuk zotëron asnjë qelizë shtetformuese. Ai udhëhiqet nga makiavelizmi: “Më mirë të më kenë frikë se sa të më duan”, duke shkelur ligjet për hir të fuqisë;
(iv) Vrasja e demokracisë së brendshme: AI eliminoi me vetëdije garën dhe proceset konkurruese brenda PS-së. Përjashtoi mijëra socialistë të ndershëm si “xhaketa të vjetra”, dhe i zëvendësoi me “xhaketa të lyrosura” nga yndyrat e ndotura nga babëzia;
(v) Shpikja e “Rilindjes” si model autokratik: Si lider i imponuar, ai tjetërsoi simbolet e PS-së duke krijuar “Rilindjen”, një strukturë që promovon vetëm të fortët dhe besnikët e verbër, duke e kthyer misionin demokratizues në një sekt autokratik;
(vi) Lufta ndaj sindikatave: Ai është i vetmi lider i të majtës që luftonte rolin kontrollues të sindikatave, duke u bërë thirrje bizneseve italiane: “Hajde investoni në Shqipëri sepse aty nuk ka sindikata”, pra hajde i shtypni punëtorët shqiptarë dhe të huaj si skllevër;
(vii) Kriminalizimi i përfaqësimit: Ai është i pari lider që zëvendësoi njerëzit me integritet me individë me CV kriminale. Dekriminalizimi, hetimet dhe arrestimet e kryetarëve të bashkive e ministrave “dardhëngrënës” janë dëshmia e këtij zëvendësimi fatal; dhe
(viii) Pazari i Kushtetutës 2008: Ndryshimi i Kushtetutës në historinë tonë politike do të mbetet një njollë e zezë, “pazar” më i pamoralshëm vetëm për mbijetesë personale. Përmes tij, Ai në bashkëpunim të përhershëm me Atë i ktheu partitë në prona private të kryetarëve. Jam me ndërgjegje të pastër që nuk votova pro “ndryshimeve vrastare të demokracisë”, edhe pse e dija se do të paguaja një çmim personal.
Çdo lider do të lërë pas trashëgiminë e tij. Trashëgimia e ATIJ si lider i Rilindjes do të jetë e turpshme, por jo vetëm për të. AI do të lërë pas: një parti pa shpirt demokratik dhe një parti-shtet që është pengesa kryesore e integrimit evropian.
Kjo sepse Ai;
(a) e shndërroi partinë në SHPK;
(b) vrau demokracinë e brendshme, vrau mendimin ndryshe apo alternativ;
(c) shkatërroi meritokracinë duke zëvendësuar socialistët dhe çdo shqiptar me integritet me manikinët e tij të verbër dhe të babëzitur; dëmtoi rëndë profilin dhe kontributin e PS-së, parti me demokraci të brendshme dhe modernizuese, nga një parti me fokus shërbëtor për kohezionin dhe solidaritetin social në parti-shtet në shërbim të oligarkëve.
-14 Vite Kryeministër – Bilanci i dështimit dhe gropat financiare
Agresiviteti ndaj qytetarit: Mungesa e kohezionit social shfaqet te burgosja për faturat e dritave, rrëmbimi i pronës pa kompensim dhe prishja e shtëpive në mes të dimrit pa krijuar skemën e mbrojtjes sociale ku përfshihet edhe e drejta për ujë, bukë, ushqime.
Kryeministri “Shtegtar” dhe gropat e zeza: Mungesa në detyrë: Ai mburret me udhëtimet, por ai është i pari kryeministër që mungon dhe ka deleguar drejtimin e mbledhjeve të qeverisë deri edhe në mënyrë të paligjshme më shumë se çdo kryeministër tjetër.
Gropa financiare: Ai ka krijuar gropën më të madhe në financat publike. Vendimet e Gjykatave Evropiane si rasti Beccetti me rreth 150 milionë euro, qindra milionë euro në pritje në GJEDNJ, miliardat e eurove nga pushimet antiligjore dhe hakmarrëse janë deri miliarda euro që do t’u rëndojnë brezave.
Bllokimi i fondeve: Ai është i vetmi Kryeministër në Ballkan që i janë bllokuar nga BE për disa vite 100% e fondeve IPARD. Shkaku: korrupsioni dhe babëzia.
Korrupsioni infrastrukturor: Miliarda euro të vjedhura tek AKSHI dhe shumë rrugë, të shkatërruara njëkohësisht në të gjithë territorin e vendit që po shkatërrohen nga “ujërat e zeza” të korrupsionit. Ai ka reduktuar më shumë se kushdo kryeministër tjetër kontrollin qytetar dhe parlamentar të “fondeve të zeza” duke rritur tenderët sekretë dhe aktet normative, prova të qeverisjes së babëzitur dhe të kriminalizuar.
Pandëshkueshmëria e “Kryebariut”: Ndërsa një bari dënohet se djeg një kullotë me disa vite burg dhe miliona lekë, “AI/Kryebariu” ynë që djeg miliarda taksa nga babëzia, nuk mban asnjë përgjegjësi. Ai instaloi modelin e hakmarrjes primitive ndaj çdo kritikuesi publik dhe me PPP-të krijoi oligarkët strategjikë.
Megalomania në politikën e jashtme: Kosova: Ai tentoi “sistemin e kujdestarisë” duke atakuar liderët legjitimë të saj. Projekti: “Shengeni Ballkanik” dhe “Ballkani i Hapur”, i shtyrë nga ëndrra shekspiriane për një “Nobel” personal, tentoi që me shkëmbimin e territoreve të hapte “Kutinë e Pandorës” që Evropa e kundërshtonte në mënyrë të panegociueshme. Pasojat e kësaj megalomanie kulmuan me arrestimin e Thaçit, te dera e avionit ku do të shkonte të nënshkruante shkëmbimin e territoreve.
Diplomacia e batutave: Ai shpesh zëvendëson etikën shtetërore me sjellje pa etikë ndaj liderëve dhe institucioneve ndërkombëtare. Me mendjelehtësi ai synonte ta kthente “Bordin e Paqes” në “Bordin e Turpit”, duke tentuar të turpëronte çdo kryetar shteti në atë tavolinë që financonte Gjykatën e Hagës. Sipas logjikës së ATIJ, më të turpëruarit duhet të ishin liderët e Kosovës, që e themeluan këtë gjykatë. Po Thaçi, Jakupin, Selimi dhe… vunë të ardhmen e Kosovës mbi kostot dhe ambiciet personale.
Raporti me SHBA: Ai tentonte të nxiste Presidentin Trump kundër prokurorit të arrestimit të Thaçit pasi Smith kishte hetuar edhe Trump. Presidenti Trump dhe stafi i tij i politikave strategjike ka kohë që nuk dëgjojnë nga veshi, ku provokon me dijen e tij provokuese.
Legacia e autokratëve dhe neo-diktatorëve – Sipas simptomave të listuara, trashëgimia që lënë pas autokratët “modernë” nuk është stabiliteti, por rrënimi si:
(i) Institucione “Fasadë”: Ngrehina që funksionojnë vetëm si zyra të noterizimit të vullnetit të liderit;
(ii) Kriminalizimi i meritokracisë: Zëvendësimi i meritës me manikinët dhe individët me CV-të kriminale;
(iii) Gropa financiare varfëruese: Izolim dhe varfërim përmes bllokimit të fondeve të BE dhe gjobave miliardëshe nga GJEDNJ; dhe
(iv) Vakuumi pas rënies: Individët antishet lënë pas një “gropë të zezë” politike, financiare dhe shpirtërore si litari i të mbyturit politik, për rikthim plot urrejtje.
Rruga e vetme që i mbetet Atij për të shpëtuar nga kjo trashëgimi turpëruese është vetëm dorëheqja. Kjo sepse Ai me vetëdije dhe nën përbindëshin e babëzisë e shndërroi PS-në dhe qeverisjen e shtetit në “SHPK”.
Churchill, i cili i mbrojti parimet duke sakrifikuar partinë, jam i bindur që edhe përpara kësaj mbledhjeje do t’i ketë dërguar Atij ca “këshilla dorëheqëse”, por që ndoshta fatkeqësisht edhe mund të vonohen se Diella ka disa javë në “vetëdistancim higjienik”.
Shënim sqarues për gjuhën e apelit publik:
Në rrugëtimin tim drejt mbrojtjes së parimeve, më ka mahnitur gjithmonë stili i shkrimtarit Koço Kosta dhe guximi i tij në mesin e viteve ’80 me novelën ‘Për vete, ata të dy e të tjerë’, botuar në revistën ‘Nëntori’.
Përdorimi gjenial i përemrave në vend të emrave nuk ishte thjesht një zgjedhje stilistike, por një mjet mbrojtës për të goditur fenomenet e diktaturës pa përmendur emrat e diktatorëve.
Ishte një vepër aq tronditëse për regjimin, sa jo vetëm që ia ndaluan botimin e pjesës së dytë, por urdhëruan me dhunë grisjen e pjesës së parë nga revista.
Ky akt i ‘grisjes’ së të vërtetës mbetet për mua simboli më i pastër i luftës mes integritetit të individit dhe babëzisë së pushtetit
