“TANI VENDOSET FATI POLITIK”/ PS mbledh Grupin Parlamentar, Rama PO VENDOS

Kryeministri Edi Rama mbledh sot në Pallatin e Brigadave ministrat dhe deputetët e PS, në një takim që zhvillohet në pritje të një qëndrimi zyrtar për çështjen që përfshin zv/kryeministren Belinda Balluku.

Takimi nis me fjalën e kreut të qeverisë. Më pas, dhjetë ministra raportojnë për sektorët që drejtojnë, projektet në zbatim dhe ecurinë e punës në institucionet përkatëse. Në përmbyllje të mbledhjes, fjalën e merr kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Katër ditë më parë, prokurorët e SPAK paraqitën në Kuvend argumente shtesë dhe kërkuan autorizim për arrestimin e zv/kryeministres.

“Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, thanë Prokurorët e SPAK në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku u diskutua imuniteti i ish numrit dy të qeverisë.

“Në masat e para të kërkuara znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg; sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, kanë deklaruar Prokurorët e SPAK.

Pasi prezantuan provat e reja për Ballukun dhe pasi janë dëgjuar nga anëtarët e Këshillit, tre prokurorët e SPAK, Klodian Braho, Dritan Brençi dhe Dorina Bejko janë larguar.

Ndërsa diskutimet vijuan mes anëtarëve të Këshillit të Mandateve, të cilët do të hartojnë edhe një raport, që do ta çojnë në Kuvend për miratim në datën 5 mars.

Vendimmarrja i takon Kuvendit, ku shumica socialiste do të duhet të zgjedhë mes dy raporteve: atij të paraqitur nga opozita që mbështet lejimin e arrestimit dhe qëndrimit që do të mbajë vetë shumica. Ky pozicion pritet të bëhet i qartë në ditën në vijim. Kuvendi parashikon ta shqyrtojë kërkesën e SPAK në një nga dy seancat e ardhshme.

Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e akuzoi Ballukun se ka tentuar të ndërhyjë te dëshmitarët, nëpërmjet kërcënimeve apo dhënies së ryshfeteve. Akuza pati edhe në drejtim të kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas Bardhit, kishte urdhëruar pesë anëtarët e Këshillit të Mandateve për t’u bërë ‘mburojë’ për numrin dy të qeverisë.