“Ballistë e komunistë”/ Rama sulmoi partitë e reja, reagon ashpër Agron Shehaj

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar të PS, kur sulmoi drejtësinë dhe tha se sistemi gjyqësor “po gjymton pavarësinë e dy pushteteve të tjera”.

Shehaj thekson se kryeministri Edi Rama nuk e ka mendjen tek problemet e vërteta të shqiptarëve, siç është bllokimi prej mëse një jave i qarkullimit të 1/3 së shqiptarëve të Jug-Lindjes së vendit.

Ndërkohë që qytetarët që kanë probleme dhe duan të vijnë në Tiranë nga Korça apo Librazhdi e anasjelltas, nuk kanë ende një datë se kur do të hapet rruga, Shehaj thekson se Rama po mbron zv.kryeministren Balluku nga arrestimi që kërkon SPAK dhe sulmon drejtësinë.

“Nëse je një banor i Korçës, i Pogradecit, apo i Librazhdit dhe ke nevojë të vish në Tiranë për një problem shëndetësor, ndez televizionet dhe shikon se çfarë po thonë në lidhje me hapjen e rrugës se nuk ka akoma një datë.

Dhe çfarë zbulon kur ndez televizorin?

Shikon: “Gjyqësori, ndërhyrje gjymtuese në pushtetin legjislativ”.

Edi Rama nuk e ka mendjen tek problemet e shqiptarëve.

Ka mbledhur grupin parlamentar me një çështje të vetme: Si të shpëtojmë Belinda Ballukun? 1/3 e Shqipërisë është e bllokuar, nuk vjen dot në Tiranë, nuk gjen dot informacionet mbi kur do hapet rruga, por ama gjen argumentet e Edi Ramës të sotshme se pse Belinda Balluku nuk duhet të arrestohet nga SPAK-u.”, thotë Shehaj.

Teksa foli për reformën në drejtësi, për të cilën tha se mazhoranca socialiste vazhdon ta mbështesë, kreu i qeverisë sulmoi edhe drejtuesit e partive të vogla.

Rama përdori tone ironike dhe metafora për të përshkruar kundërshtarët politikë, duke i ndarë ata mes “hunjeve të vjetër e të thyer” dhe “filizave të rinj e të shtrembër”.

Ai përmendi gjithashtu me ironi dy drejtues partish politike, Agron Shehajn dhe Arlind Qorin, duke i cilësuar si “ballisti Agron” dhe “komunisti Arlind”.

Më pas kreu i qeverisë shtoi se të gjithë, sipas tij, “i mbajnë sytë nga stacioni i trenit duke pritur që SPAK-u t’u hapë rrugën”.