Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka zbuluar detaje nga mbledhja e Këshillit të Mandateve, ku u shqyrtua kërkesa e SPAK për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut me qëllim arrestimin e saj.
Bardhi theksoi se prokurorët e SPAK, në përgjigje të deputetëve të PS që kundërshtuan rëndimin e masave ndaj Ballukut në mbledhjen e Këshillit të Imunitetit dhe Mandateve, kanë argumentuar se ajo ka emëruar pjesën dërrmuese të zyrtarëve të lartë të administratës publike.
Sipas Bardhit, prokurorët thanë se largimi i saj nga detyra nuk do të shmangte rrezikun e prishjes së provave apo intimidimit të dëshmitarëve, por se ndaj saj duhet një masë arresti për të penguar komunikimin me këta zyrtarë.
“Pse e ka bërë ky këtë (ndryshimet në qeveri), e parashikoi prokurori gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve. E di se ça tha. Në përgjigje të pyetjeve të deputetëve të PS, se pse duhen rënduar masat ndaj Ballukut, thanë se zonja Balluku sot na rezulton se ka emëruar pjesën dërrmuese të zyrtarve më të lartë të administratës publike. Dhe largimi i saj nga funksioni i zëvendës kryeministres dhe ministres nuk e shmang rrezikun ndaj hetimeve, prishjes së provës dhe intimidimit të dëshmitarëve. Sepse pjesa dërrmuese, e titullarëve të institucioneve ku ne po kryejmë hetimet ndaj Ballukut, janë emëruar nga vetë Balluku dhe janë në shërbim të saj. Ne na duhet në arrest zonja Balluku që të mos ketë asnjë mundësi komunikimi me këta zyrtarë që vetë ka emëruar në detyra. Sepse nëse ka komunikim, do t’i urdhërojë.”, tha Bardhi.
