Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ishte pjesë e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku votoi pro kërkesës së SPAK-ut për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut, me qëllim për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Ditën e djeshme (pas mbledhjes), deputetja e PD shkroi në rrjetin social Facebook se Edi Rama po mbron Ballukun dhe intimidon drejtësinë. Hoti bëri thirrje për të protestuar në 28 shkurt me qëllim për të rrëzuar qeverinë Rama, të cilën PD-ja e konsideron si narkoqeveri dhe përgjegjëse për narkoshtetin e pretenduar.
“Edi Rama po mbron Belinda Ballukun dhe po sulmon drejtësinë, në vend që të lejojë që ajo të bëjë punën e saj. Të thuash se ndaj Belinda Ballukut nuk ka akuza për korrupsion, ndërkohë që ka hetime, prova dhe fakte të mbledhura nga SPAK, është përpjekje për të mashtruar qytetarët dhe për të intimiduar institucionet e drejtësisë. Kur sulmohet drejtësia sa herë që prek pushtetin, kuptohet qartë frika nga e vërteta. Halli personal i Edit dhe Belindës nuk është halli i shqiptarëve. Shqiptarët nuk mund të mbajnë mbi supe faturën e aferave dhe mbrojtjes politike të pushtetit. Më 28 shkurt, ora 18:00. Protestojmë për Shqipërinë“, shkruan Hoti.
Në një kohë kur deputetja e PD Elda Hoti bën thirrje për të protestuar kundër qeverisë, të cilën PD-ja e konsideron narkoqeveri, vëllai dhe bashkëshorti i deputetes rezultojnë të arrestuar si trafikantë droge, ndërsa ka dyshime që edhe babai i saj të jetë implikuar në trafikun e drogës.
Disa ditë më parë, mediat italiane raportuan se vëllai i deputetes së Partisë Demokratike Elda Hoti, Markelian Hoti, 27 vjeç, është arrestuar në Romë në zbatim të një urdhër-arresti europian të lëshuar nga autoritetet gjyqësore belge për trafik të lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut drejt Europës. Në vitin 2016, Ladi Ndoja, bashkëshorti i deputetes së PD, Elda Hoti, u arrestuar në flagrancë në Venecia të Italisë, pasi e kishte kthyer shtëpinë në bazë droge.
Para zgjedhjeve të 11 majit 2025, bashkëshorti dhe vëllai i deputetes së PD-së u arrestuan për kanosje ndaj votuesve. Ndërkaq, në vitin 2021, Llesh Nikolli iu drejtuar KQZ-së me ankesë, duke akuzuar deputeten Elda Hoti se ka fshehur ndryshimin e emrit të babai të saj nga David në Artan Hoti, për shkak të të shkuarës së tij kriminale.
Në gusht të vitit 2021, Mark Marku dha dorëheqjen nga mandati i deputetit, të cilin ia besuan qytetarët e Qarkut të Lezhës në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Vetëm disa ditë para se të konstituohej Kuvendi ri, deputeti i PD-së hoqi dorë nga mandati për motive jo edhe aq bindëse. Vendin e tij e zuri pikërisht Elda Hoti. PD mori katër mandate në Lezhë. Elda Hoti renditej e pesta në listë me 2733 vota.
Zonja Hoti kishte qenë më parë kandidate e LSI-së. Mandej kaloi me Partinë Republikane të Fatmir Mediut, ku edhe mori madatin e Mark Markut, duke u zhvendosur përfundimisht tek PD-ja. Ka dyshime të forta dhe zëra që madati i zonjës Hoti është blerë me para produkt i aktivitetit kriminal. Rasti Elda Hotit tregon se kauza e narkoshtetit të opozitës është thjeshtë një beze e kuqe në arenën politike dhe se Sali Berisha operon dhe zbaton vetë çdo marifet, për të cilin akuzon kundërshtarin politik.
