Janë të vegjël, por që tani janë të apasionuar pas polifonisë. Janë fëmijët e Qendrës Kulturore “Fato Berberi” në Gjirokastër, të cilët po mësojnë këngën me iso. U pëlqen ky zhanër muzikor dhe, ashtu si familjarët e tyre, duan ta këndojnë polifoninë.
“Po më pëlqen kënga iso-polifonike sepse argëtohemi shumë, kam dalë shumë herë në skenë, kam pasur emocione në fillim, por pastaj jam ndjerë mirë”, shprehet një vogëlushe.
“Më pëlqen të këndoj dhe t’ia marr isos”, shprehet një tjetër.
Këngën me shumë zëra që ruhet nga UNESCO ua mëson Alvaro Cenko. Edhe ai vetë e këndon polifoninë, ndërsa u mëson të vegjëlve jo vetëm notat dhe harmoninë, por edhe dashurinë për këtë zhanër muzikor.
“Fëmijët janë disa të talentuar, janë të tjerë që e kanë me pasion. Dhe unë jam i gatshëm për ta. Harmonia e tyre e bën isopolifoninë një magji të vërtetë”.
Alvaro, bashkë me fëmijët, marrin pjesë në aktivitete të ndryshme në qytetin e gurtë dhe kanë qenë të shumta organizimet ku fëmijët kanë shfaqur talentin e tyre.
“Kam pasur shumë aktivitete, 7 Marsi, 14 Marsi, apo ‘Iso mbi kalldrëm’ që e zhvillojmë në Pazarin e Gjirokastrës”, tha Alvaro Cenko.
Edhe vetë Cenko e ka nisur polifoninë në moshën 12-vjeçare. Ai është ngjitur në skenë krah babait të tij dhe që nga ajo kohë e vijon pasionin.
“E kam të trashëguar nga familja ime dhe kam një peshë të madhe që ta trashëgoj atë brez pas brezi edhe te fëmijët e Qendrës Kulturore të Fëmijëve. Për mua është fat dhe vlerësim i madh për qytetin tim”.
Ai ka edhe grupin e tij në Gjirokastër, ndërsa ka marrë pjesë edhe në festivalin e fundit folklorik të zhvilluar në qytetin e gurtë.
“Kam qenë më përpara në festivalet e fëmijëve, por për isopolifoninë kam qenë që në moshën 12-vjeçare. Kënga e parë është emocion i veçantë që e përshkruan isopolifonia”.
Interpretuesi i iso-polifonisë, Cenko thotë se nuk do t’i ndahet skenës dhe të njëjtin qëllim ka edhe për fëmijët e Qendrës Kulturore, të cilët do të vijojë t’i rrisë artistikisht. A.K./TemA
