Policia ka arrestuar 4 militantë të Sali Berishës, pas protestës së dhunshme të organizuar mbrëmjen e djeshme nga Partia Demokratike.
Ndërkohë Policia dorëzoi materialet në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) edhe për deputetin ‘organizator’ Klevis Balliu, i cili dyshohet se ka shkelur ligjin “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Kjo është hera e parë që Policia referon materialet në SPAK, lidhur me protestat e dhunshme të PD-së. Menjëherë pas protestës së mbrëmjes së djeshme, Policia shoqëroi në Komisariat mbi 10 persona, pas dyshimeve se ishin të përfshirë në akte dhune.
Në protestën e 28 shkurtit mbizotëroi kaosi dhe dhuna, ku militantët e Berishës sulmuan me molotovë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha (brenda së cilës ndodheshin 7 artistë dhe disa pjesëtarë të stafit), bizneset private dhe koshat e mbeturinave. Po ashtu pati edhe përplasje mes militantëve dhe Policisë, përkatësisht përballë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në zonën e ish-Bllokut, ku efektivët u goditën me gurë dhe sende të forta.
