Goditje nga ajri, toka dhe deti/ SHBA zbulon arkitekturën e “Epic Fury”, 4 ‘avionë fantazmë’ u nisën nga Missouri (Video)

Ja arsenali që përdori SHBA gjatë sulmit në Iran dhe objektivat e goditur…

Zbardhen detajet e plota të sulmit amerikan ndaj Iranit, ndërsa ushtria amerikane ka publikuar edhe pamje nga operacioni ajror i koduar “Epic Fury”, i cili sipas Uashingtonit përfaqëson një nga ofensivat më të mëdha dhe më komplekse të viteve të fundit.

Në qendër të operacionit ishin katër bombardues strategjikë B-2 Spirit, të nisur nga baza ajrore Whiteman në SHBA, të identifikuar me kodet PETRO 41-44. Ata realizuan një mision vajtje-ardhje drejt Iranit, duke goditur objektiva të përzgjedhura dhe më pas duke u rikthyer në bazë. Misioni u mbështet nga të paktën 13 avionë cisternë për furnizim me karburant në ajër, çka tregon për një arkitekturë të gjerë logjistike dhe për një operacion me rreze të gjatë strategjike.

Itinerari i avionëve B-2

Sipas Komandës Qendrore Amerikane (CENTCOM), operacioni u nis me urdhër të presidentit Donald Trump dhe kishte si objektiv çmontimin e aparatit të sigurisë së regjimit iranian, me prioritet strukturat që përbëjnë kërcënim të menjëhershëm. Në 24 orët e para, SHBA angazhoi një gamë të gjerë kapacitetesh ushtarake ajrore, tokësore dhe detare.

Mes sistemeve të përdorura përfshihen bombarduesit B-2, avionë luftarakë F-16, F-18, F-22 dhe F-35, avionë sulmi A-10, avionë elektronikë EA-18G, si dhe dronë MQ-9 Reaper dhe mjete të tjera pa pilot. U aktivizuan gjithashtu sistemet e mbrojtjes raketore Patriot dhe THAAD, sisteme raketore HIMARS me lëvizshmëri të lartë, avionë zbulimi RC-135, avionë patrullimi detar P-8 dhe avionë paralajmërimi të hershëm AWACS. Operacioni u mbështet nga transportues avionësh me energji bërthamore, shkatërrues me raketa të drejtuara, anije furnizimi dhe avionë transporti C-17 dhe C-130. Në deklaratë theksohet se u përdorën edhe “aftësi të veçanta që nuk mund të përmenden”.

Sipas njoftimit zyrtar, objektivat në territorin iranian përfshinë qendra komande dhe kontrolli, Shtabin e Përbashkët të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), Shtabin e Forcave Hapësinore të IRGC, sisteme të unifikuara të mbrojtjes ajrore, baza raketash balistike, baza raketash kundër anijeve, si dhe anije dhe nëndetëse të Marinës iraniane. U goditën gjithashtu struktura të komunikimit ushtarak dhe kapacitete të tjera strategjike.

Presidenti Donald Trump publikoi një video në platformën Truth Social, ku deklaroi se “në 46 orët e fundit Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre kanë nisur Operacionin Epic Fury, një nga ofensivat më të mëdha, më komplekse dhe më dërrmuese që bota ka parë ndonjëherë”. Ai shtoi se sulmet janë pjesë e një fushate të gjerë për të neutralizuar kapacitetet ushtarake të Iranit dhe për të garantuar sigurinë e aleatëve të SHBA-së në rajon.

Armët e SHBA

-Bombarduesit e fshehtë B-2 Spirit

-Luftëtarët F-16, F-18, F-22 dhe F-35

-Avionët sulmues A-10

-Avionët elektronikë EA-18G

-Sistemet e mbrojtjes raketore Patriot dhe THAAD

-Dronët MQ-9 Reaper dhe mjetet ajrore pa pilot LUCAS

-Sisteme raketore HIMARS (M-142)

-Transportues avionësh me energji bërthamore

-Shkatërrues me raketa të drejtuara

-Avionë zbulimi RC-135, patrullimi detar P-8 dhe AWACS

-Avionë transporti C-17 dhe C-130

-Anije cisternë për furnizim me karburant dhe anije furnizimi

-Sisteme kundërmasash për dronë

Objektivat e goditur

-Qendra komande dhe kontrolli

-Shtabin e Përbashkët të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC)

-Shtabin e Forcave Hapësinore të IRGC

-Sisteme të unifikuara të mbrojtjes ajrore

-Baza raketash balistike

-Anije dhe nëndetëse të Marinës iraniane

-Baza raketash kundër anijeve

-Aftësi komunikimi ushtarak