Qeveria i shton 12 692 m² shoqërisë “Partizani Sh.A.”, pas 37 mijë m² të dhëna në 2016; projekti parashikon zhvillim ndërtimor në pronë shtetërore…
Me Vendimin nr. 32, datë 21 janar 2026, qeveria i shtoi shoqërisë “Partizani Sh.A.” edhe 12 692 m² truall, si shtesë e kontratës së vitit 2016 të lidhur me “Kontratë 1 Euro”. Një vit më parë, kryeministri kishte deklaruar se pjesa e mbetur e repartit ushtarak nuk do të jepej. Sipas informacionit të publikuar, subjekti ka paraqitur kërkesë për zhvillim ndërtimor në sipërfaqen e re. Vendimi ka hapur debat për trajtimin si “shtesë” të një pasurie të ndryshme ushtarake dhe për destinacionin e pronës shtetërore në kuadër të partneritetit publik-privat.

Pasi u publikua vendimi i qeverisë që i dha shoqërisë “Partizani Sh.A.” qendrën sportive “Skënderbegas” në Tiranë me sipërfaqe 37 mijë m² truall, Edi Rama e justifikoi atë si “mbështetje për zhvillimin e futbollit modern”.
Një vit më parë, kur iu përmend sërish kjo çështje, kryeministri reagoi duke deklaruar:
– Po të kishte lidhje im vëlla me përfitime nga toka që iu dha shoqërisë “Partizani”, do t’i kisha dhënë edhe pjesën tjetër që ky klub po e kërkon prej 8 vitesh; por nuk do t’ia japim, megjithëse është një sipërfaqe me baraka të vjetra pa vlerë.
Më 21 janar 2026, qeveria miratoi Vendimin nr. 32, të firmosur nga kryeministri, që parashikon shtesë në Vendimin nr. 183, datë 9 mars 2016, duke i dhënë shoqërisë “Partizani Sh.A.” edhe 12 692 m² truall me “Kontratë 1 Euro”.
Sipas informacionit të publikuar, shoqëria “Partizani Sh.A.” ka paraqitur kërkesë në Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit për zhvillim ndërtimor në sipërfaqen shtesë, përfshirë ndërtesa banimi dhe njësi shërbimi.
Për realizimin e projektit, procedurat për lejen e ndërtimit kalojnë përmes institucioneve përkatëse dhe miratohen nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Sipërfaqja e re është pjesë e një reparti ushtarak të ndryshëm nga ai i vitit 2016. Sipas dokumenteve, trualli prej 37 mijë m² i dhënë në 2016 lidhej me Repartin Ushtarak nr. 6010, ndërsa sipërfaqja 12 692 m² i përket Repartit Ushtarak nr. 4030.

Kjo ka ngritur debat për trajtimin e saj si “shtesë kontrate” dhe jo si pasuri e veçantë me procedurë të re vendimmarrjeje.
Kontratat “1 Euro” parashikojnë rikthimin e pasurisë te shteti pas përfundimit të afatit 20-vjeçar. Megjithatë, zhvillimi i ndërtimeve në këto sipërfaqe ka nxitur diskutime mbi mënyrën e administrimit të pronës publike.
Më herët, kur Olsi Rama u emërua drejtor i “Partizani”-t, ai deklaroi se nuk kishte ndikim politik dhe se ishte përzgjedhur për aftësi menaxheriale dhe interes në futboll.
Vendimet e fundit kanë rikthyer debatin publik mbi raportin mes pushtetit politik dhe përfitimeve në projekte që përfshijnë prona shtetërore./Pamfleti
