Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po hyjnë në një fazë gjithnjë e më të rrezikshme, ndërsa në prapaskenë fuqitë rajonale po përgatiten për skenarët më ekstremë të mundshëm. Mes frikës për një përplasje të hapur ushtarake, Turqia raportohet se ka aktivizuar plane emergjente sigurie, duke analizuar mundësinë e krijimit të një zone tampon përgjatë kufirit me Iranin, në rast se konflikti përshkallëzohet.
Sipas burimeve diplomatike dhe mediave ndërkombëtare, Ankaraja po shqyrton disa opsione strategjike për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe për të shmangur një valë masive refugjatësh që mund të shpërthejë nëse Irani përfshihet në luftë të drejtpërdrejtë me SHBA-në. Planet përfshijnë forcimin e kufirit, ngritjen e kampeve të kontrolluara dhe, në skenarët më ekstremë, krijimin e një hapësire sigurie në anën iraniane të kufirit për të ndalur destabilizimin rajonal.
Megjithatë, autoritetet turke kanë theksuar publikisht se prioritet mbetet diplomacia dhe shmangia e një lufte të gjerë, ndërsa çdo veprim ushtarak do të konsiderohej vetëm nëse siguria e Turqisë kërcënohet drejtpërdrejt. Analistët paralajmërojnë se një konflikt SHBA-Iran mund të riformatojë ekuilibrat e gjithë Lindjes së Mesme, duke e kthyer kufirin turko-iranian në pikën më të nxehtë të krizës së ardhshme.
