“I FORTI BËN FUQINË”/ PS kërkon largimin e Agron Shehaj për 20 ditë nga parlament, arsyeja janë fotot që publikoi!

Kjo kërkesë ka ardhur pas përplasjes verbale që ndodhi gjatë seancës plenare të së hënës, e cila çoi edhe në përjashtimin e tij nga salla.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka paraqitur një kërkesë për masë disiplinore ndaj deputetit dhe kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj. Kjo kërkesë ka ardhur pas përplasjes verbale që ndodhi gjatë seancës plenare të së hënës, e cila çoi edhe në përjashtimin e tij nga salla.

Sipas kërkesës, 10 deputetë socialistë i janë drejtuar Komisionit të Etikës duke propozuar që Shehaj të përjashtohet nga punimet e Kuvendit për 20 ditë.

Në argumentimin e tyre, deputetët e PS-së pretendojnë se Shehaj ka përdorur gjuhë fyese gjatë seancës dhe ka penguar zhvillimin normal të saj.

“Edhe pas marrjes së masës për t’u përjashtuar nga seanca plenare dhe thirrjeve të përsëritura të drejtueses së seancës për të liruar sallën, deputeti refuzoi të dalë nga salla, duke shkaktuar kështu edhe bllokimin e vijimit normal të punimeve të Kuvendit dhe duke i pamundësuar 6 deputetëve fjalën e tyre në emër të zgjedhësve”, thuhet në kërkesën e grupit të PS.

Komisioni i Etikës pritet të mblidhet sot në orën 12:00 për të shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga socialistët.

Kujtojmë se në seancën e së hënës, Agron Shehaj u përjashtua nga Kuvendi, pasi u përplas me socialistët për banorët e Rrjollit. Këta të fundit janë në protestë që prej 1 muaji, pasi kundërshtojnë ndërtimin e resortit të Bashkim Ulajt, në tokën që e pretendojnë të tyren. Ai hodhi akuza për dhunë ndaj këtyre banorëve.

Gjatë fjalës së tij, Shehaj tha se banorët e Rrjollit po dhunohen dhe po u grabitet prona nga oligarku Bashkim Ulaj.

“Askush nuk foli këtu me një çështje që ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve. Kjo ka ndodhur falë pushtetarëve të korruptuar. Kjo këtu është një pamje që tregon sesi dhunohet një qytetar shqiptar. Ndërkohë që Taulanti zgërdhihet. Taulant e ke parë këtë grushtin Taulant? Ky djali që rrahin me grushta është një 19 vjeçar që mbron pronën e vet, ku ka lindur, jetuar e është rritur, ndërkohë që ju ja keni vjedhur. 150 hektarë i keni marrë gjithë fshatit. Ja ka marrë ish-drejtori i Hipotekës Taulant. Pasi keni vjedhur pronën, tani po i dhunoni. Ja ka marrë me atë që Belinda Balluku përmendte në përgjim dhe thoshte ‘i kemi bërë nderin e jetës, i kemi dhënë rrugën Thumanë-Kashar 1.3 miliardë euro. T’ju vijë turp, ka qytetarë që dhunohen nga Policia e Shtetit dhe Policia private”, tha mes të tjerash Shehaj.

Drejtuesja e seancës i fiku mikrofonin Shehajt dhe kaq mjaftoi që të niste përplasjen me deputetët e Partisë Socialiste.