Këtë të martë kreu i PD Sali Berisha është ndalur në Durrës, ku ka mbajtur Foltoren e radhës.
Kryetari i Partisë akuzoi se qeveritarët e kanë mendjen vetëm të vjedhin, duke shtuar se drejtësia nuk vepron mbi ta.
“Durrësi ka njohur injorimin më të madh nga qeveria. Në Durrës ka pasur përmbytje nga shirat, por po kaq edhe nga korrupsioni madhor i kësaj qeverie, që nuk ka pastruar kanalet. Në këtë qytet u përmbytën 6 mijë familje dhe ky është një krim i shëmtuar. Këta që qeverisin sot sillen si pushtuesit më të egër që shqiptarët kanë njohur ndonjëherë. Edhe një pushtues do bënte një plan emergjence dhe do jepte një ndihmë. Rama as emergjencën nuk e shpalli, sepse ky ligj detyron qeverinë që të japë para për të prekurit. Këta kanë krijuar një klasë të degjeneruarish, që nuk pyesin për qytetarët më, sillen si shushunja, duke vjedhur e vjedhur. A keni parë ju të shkojë dikush para drejtësisë për kanalet e zëna? Asnjeri. Të gjitha rrugët që u ndërtuan këto vite u shembën sikur të jenë kartonë dhe askush nuk mban përgjegjësi. Ata që kanë ndërtuar ata rrugë kanë ndarë paratë me qeveritarët. Ne kemi përpara një përzierje të mafies shtetërore dhe mafiozëve të tjerë, që rëndojnë mbi shpirtin e trupin tonë, që largojnë përditë nga Shqipëria shqiptarë. Rama do ndërtojë Dubain e 1001 netëve për veten me anë të Portit të Durrësit. Rama ndërton parajsa në Shqipëri në bashkëpunim me kriminelë. Kjo qeveri nuk dënon hajdutët, por i mbron ato. Ne kemi vetëm një rrugë. Të përballemi dhëmbë për dhëmbë dhe ta nxjerrim nga pushteti Edi Ramën”, tha Berisha.
Më tej, Berisha deklaroi se Rama është si Khamenei.
“Rama është si Khamenei. Ai e ndjen veten si Khamenei, sepse e ndjen veten diktator. Me këtë regjim do përballemi drejtpërdrejtë dhe do e rrëzojmë. Rama po përpiqet të na mbyllë derën e Europës, por ai do mbyllet në qeli. Rama do shkojë në burg. Rama, po ta them nga këtu, do shkosh aty ku e meriton. Je i aftë të bësh ndaj shqiptarëve, ato që ka bërë Enver Hoxha. Ka katër muaj, që përballet me banorët në Durrës, të cilëve do u rrëmbesh pronën, banesat po prishen pa motiv dhe me dëmshpërblime qesharake. Është një rast ky e raste të tilla janë të shumta. Ora është e jonë, është ora e vendosmërisë për të shpëtuar Durrësin e Shqiëpërinë. Ju jap fjalën se Durrësi i ri do të jetë një qytet, që do të funksionojë më së miri. Garantoj qytetarët se rrogat do të 2-3-fishohen. Garantoj pensionistët se pensionet do të 2-3 fishohen. Askujt nuk do i dhunohet prona. Kur ne kemi bërë rrugë, dëmshpërblimet kanë qenë të drejta”, deklaroi Berisha.
