“Ka dijeni për të gjitha aferat”, Klodiana Lala: Rama i pandehur nga SPAK brenda 2026

Gazetarja Klodiana Lala thotë se kryeministri Edi Rama ka nisur një “betejë frontale” me institucionet e reja të drejtësisë.

Sipas saj, Rama ka pasur dijeni për të gjitha aferat korruptive, dhe me bindje të plotë tregon se kryeministri brenda 2026 do të thirret ose do të jetë nën hetim nga SPAK.

“Zoti Rama është duke shtruar, rrugën mendoj unë, ose është duke vënë disa kufij. Se çfarë do të thotë të vësh kufij? Do të thotë që të shkosh në Gjykatë Kushtetuese dhe të përpiqesh me çdo kusht duke sulmuar gjyqtarët në mënyrë të paprecedent që të marrësh një vendim që të leverdisë dhe t’i mbash gjyqtarët larg nga kabinetet qeveritar. Pra t’ju heqësh të drejtën me gjykatë, me vendim gjyqësor, sepse ju e dini vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqinë e ligjit, për të mos pezulluar ministra të tjerë apo ndoshta dhe vetë atë në të ardhmen. E dyta, është duke bërë ndryshime ligjore, është duke bërë çmos, të paktën deri tani, sepse unë kam një qëndrim në fakt disi ndryshe, për të mos dhënë imunitetin e zonjës Balluku. Pra, janë të gjitha këto, është duke shtruar një terren që të nesërmen t’i lërë në pamundësi prokurorët ose gjykatësit për ta prekur atë.

A do të shkojë SPAK tek Edi Rama apo Rama të shkojë në dyert e SPAK. Direkt apo indirekt të gjithë këto afera Edi Rama i ka ditur. Ka pasur informacion. Nuk ndodh asgjë rastësisht në këtë vend. Edi Rama di dhe çfarë flitet në çdo emision televiziv. Ia zbardhin këshilltarët e vet. Të jesh e sigurt për të. Edhe për një grua që ishte shtatzënë dhe kishte urdhër-arrest Rama e dinte. E dinte dhe që SPAK kishte sekuestruar tenderin e Porto Romanos, ndërkohë që unë e mora vesh 2 ditë pasi e paralajmëroi Edi Rama kur tha se SPAK po sekuestron dhe tendera që nuk kanë përfunduar procedurat. Më pas mësova që ishte Porto Romano. Unë mendoj që Edi Rama do të thirret si person në dijeni në SPAK, ose edhe si i pandehur, madje mund të ndodhë brenda 2026.”, tha gazetarja e ftuar në emisionin A Show.