Nuk ndalet lufta/ SHBA mbyll ambasadën në Kuvajt, Izraeli nis ofensivë të re; Irani përballet me kurdët

Konflikti mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara po përshkallëzohet dhe po përfshin gjithnjë e më shumë vende të rajonit. Sulme me raketa dhe dronë janë raportuar në disa zona të Lindjes së Mesme, ndërsa Irani paralajmëron reagim të ashpër ndaj çdo kryengritjeje kurde. Në të njëjtën kohë, SHBA ka pezulluar funksionimin e ambasadës në Kuvajt dhe NATO ka rritur gatishmërinë e mbrojtjes raketore, ndërsa tensionet po ndikojnë edhe në tregjet globale të energjisë.

Konflikti mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara po hyn në një fazë gjithnjë e më të rrezikshme, ndërsa luftimet janë zgjeruar përtej territorit iranian dhe izraelit, duke përfshirë disa vende të Lindjes së Mesme dhe duke rritur shqetësimet për një konflikt rajonal.

Në zhvillimet më të fundit, presidenti i Iranit Masoud Pezeshkian paralajmëroi se autoritetet iraniane do të reagojnë me “masa vendimtare” kundër çdo lëvizjeje separatiste kurde. Në një mesazh në rrjetet sociale, ai falënderoi popullsinë kurde që, sipas tij, ka qëndruar në krah të Iranit gjatë konfliktit, por theksoi se forcat e sigurisë kanë detyrimin të përballen me çdo përpjekje për kryengritje.

Pak më pas, grupet opozitare të kurdëve iranianë thanë se ishin goditur nga sulme të reja këtë pasdite, duke plagosur të paktën dy persona. “Dy raketa goditën selinë tonë të përgjithshme në orën 7:15 të mbrëmjes, duke plagosur lehtë dy anëtarë të partisë” në distriktin Habbat të provincës Erbil, tha Mardin Zahidi, një anëtar i Organizatës së Luftës së Kurdistanit Iranian, duke ia atribuar sulmin Iranit.

Zhvillimet vijnë në një moment kur milicitë kurde iraniane në rajonin autonom të Kurdistanit në Irak kanë diskutuar me zyrtarë amerikanë mundësinë e një ofensivë kundër forcave iraniane. Presidenti amerikan Donald Trump tha në një intervistë se do ta mbështeste një veprim të tillë, ndërsa disa media amerikane raportojnë se CIA po shqyrton furnizimin me armë të forcave kurde me qëllim nxitjen e një kryengritjeje kundër regjimit në Teheran.

Ndërkohë, konflikti po prek edhe vendete e Gjirit Persik. Ushtria e Kuvajtit njoftoi se vendi është përballur me sulme me raketa dhe dronë në hapësirën ajrore, të cilat janë neutralizuar nga sistemet e mbrojtjes ajrore. Në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara pezulluan përkohësisht funksionimin e ambasadës së tyre në Kuvajt, megjithëse autoritetet thanë se nuk ka raportime për të plagosur mes personelit amerikan.

Nga ana tjetër, shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, deklaroi se lufta kundër Iranit po hyn në “fazën e radhës”, duke paralajmëruar intensifikim të sulmeve kundër infrastrukturës dhe kapaciteteve ushtarake të regjimit iranian. Ai shtoi se ushtria izraelite ka në dispozicion edhe “lëvizje të tjera të papritura”, pa dhënë detaje.

Përplasjet janë zgjeruar edhe në vende të tjera të rajonit. Izraeli goditi për herë të parë qytetin Tripoli në veri të Libanit, duke vrarë sipas ushtrisë izraelite një komandant të Hamasit përgjegjës për trajnimet në Liban. Në të njëjtën kohë, një raketë iraniane goditi një rafineri nafte në Bahrein, ndërsa Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se sistemet e tyre të mbrojtjes ajrore kanë interceptuar dhjetëra dronë iranianë.

Tensionet kanë përfshirë edhe aleancën perëndimore. NATO njoftoi se vendet anëtare kanë rritur nivelin e mbrojtjes raketore pasi një raketë iraniane u rrëzua ndërsa po lëvizte drejt hapësirës ajrore të Turqisë.

Në planin diplomatik, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se dëshiron të përfshihet në procesin e zgjedhjes së udhëheqësit të ardhshëm të Iranit, duke kundërshtuar mundësinë që vendin ta drejtojë djali i ish-udhëheqësit suprem Ali Khamenei.

Ndërkohë, përplasjet po ndikojnë edhe në ekonominë globale. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, ndërsa trafiku i cisternave të naftës në Ngushticën e Hormuzit është ndërprerë përkohësisht, duke rritur shqetësimet për furnizimin global me energji.

Sipas një analize të Center for Strategic and International Studies, vetëm 100 orët e para të operacionit ushtarak amerikan kundër Iranit kanë kushtuar rreth 3.7 miliardë dollarë, ose afro 890 milionë dollarë në ditë.

Ndërkohë, vendet perëndimore kanë nisur evakuimin e qytetarëve të tyre nga rajoni, ndërsa disa shtete evropiane kanë rritur praninë ushtarake për të mbrojtur interesat dhe aleatët e tyre.

Pas gjashtë ditësh luftime intensive, Irani dhe Izraeli vazhdojnë shkëmbimin e sulmeve me raketa dhe dronë, ndërsa analistët paralajmërojnë se konflikti rrezikon të shndërrohet në një përballje më të gjerë rajonale me pasoja globale. /Pamfleti