Në 13 vite pushtet, kryeministri ka ndërruar 10 ministra dhe disa drejtues policie, ndërsa rotacioni i shpeshtë nuk ka sjellë ulje të kriminalitetit…
Edi Rama mban rekordin për numrin më të madh të ministrave të Brendshëm dhe drejtorëve të Policisë së Shtetit gjatë një periudhe të vetme qeverisjeje. Në 13 vite pushtet janë emëruar dhe shkarkuar 10 ministra dhe disa drejtues të policisë, me një mesatare qëndrimi rreth 16 muaj për ministra dhe 27 muaj për drejtorët e policisë. Ndryshimet e shpeshta janë shoqëruar me rotacione të vazhdueshme edhe në nivelet e drejtorive dhe komisariateve. Pavarësisht këtyre lëvizjeve, raportet dhe zhvillimet e viteve të fundit tregojnë se problemet me kriminalitetin dhe akuzat për lidhje të zyrtarëve me aktivitete të paligjshme kanë vijuar të mbeten një sfidë e madhe për strukturat e rendit.
Edi Rama është kryeministri i vetëm gjatë 34 viteve, që ka rekordin për numrin e madh të ministrave të Brendshëm dhe drejtorëve të Përgjithshëm të Policisë, duke i ndërruar shpesh ata.
Mesatarja e kohës së qëndrimit të tyre në detyrë është 16 muaj për çdo ministër nga 4 vite mandat; dhe 27 muaj mesatarja e qëndrimit për çdo drejtor policie nga 5 vite mandat, ndërsa drejtorët e policive të qarqeve dhe shefat e komisariateve janë ndryshuar çdo 6 muaj ose 1 vit.
Çdo ministër të Brendshëm e drejtor policie të shkarkuar, Edi Rama e ka përcjellë me lavde për arritje të larta ose me heshtje, ndërsa zëvendësuesit i quante “garant për luftën kundër krimit”.
Faktet kanë treguar se rekordi i Edi Ramës për numrin e ministrave të Brendshëm dhe drejtuesve të policisë që ka ndërruar në 13 vite nuk ka lidhje me forcimin e luftës kundër krimit, por me ndikimin dhe kontrollin e grupeve kriminale mbi kryeministrin.
Jo vetëm për ish-ministrin Taulant Balla, për të cilin u tha se e shkarkoi banda e Troplinëve, apo ish-drejtorin Ilir Proda, për të cilin u tha se u emërua nga Ergys Agasi dhe grupi “Troplini”, por për të gjithë ministrat dhe drejtorët pas vitit 2017 është thënë dhe është pretenduar se janë emëruar me ndikim nga grupet kriminale dhe oligarkët e lidhur me Edi Ramën.
Pasi i kanë shfrytëzuar për punë të pista dhe pasi ka pasur reagime nga partnerët e sigurisë të SHBA-BE, Edi Rama i ka shkarkuar dhe i ka zëvendësuar me të tjerë, por përsëri të rekomanduar nga grupe kriminale dhe oligarkë.
Madje aq të lidhur dhe të afërt kanë qenë me grupe kriminale, sa Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, gjatë ushtrimit të detyrës, kishte vëllain të dënuar me burg në Itali për trafik droge.
Drejtori Ilir Proda rezultoi ortak biznesi me vëllezërit trafikantë Ylli dhe Petrit Cara dhe përfitoi dy apartamente banimi prej tyre; ndërsa oficerin trafikant Ulian Shpataraku, Ilir Proda e emëroi drejtor policie në Elbasan dhe Korçë dhe specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, megjithëse kishte qenë i përjashtuar nga policia dhe ishte dënuar për arrest, fshehje dhe lirim trafikantësh kundrejt përfitimeve.
Emrat – 10 ministrat e Brendshëm në 13 vitet e pushtetit të PS
1. Saimir Tahiri: Emëruar më 15 shtator 2013, shkarkuar më 19 mars 2017.
2. Fatmir Xhafaj: Emëruar më 24 mars 2017, shkarkuar më 22 maj 2017.
3. Dritan Demiraj: Emëruar më 22 maj 2017, shkarkuar më 13 shtator 2017.
4. Fatmir Xhafaj: Ri-emëruar më 14 shtator 2017, ri-shkarkuar më 27 tetor 2018.
5. Sandër Lleshaj: Emëruar më 23 nëntor 2018, shkarkuar më 17 dhjetor 2020.
6. Bledar Çuçi: Emëruar më 18 dhjetor 2020, shkarkuar më 13 korrik 2023.
7. Taulant Balla: Emëruar më 14 korrik 2023, shkarkuar më 30 korrik 2024.
8. Ervin Hoxha: Emëruar më 31 korrik 2024, shkarkuar më 11 shtator 2025.
9. Albana Koçiu: Emëruar më 11 shtator 2025, shkarkuar më 4 mars 2026.
10. Besfort Lamallari: Filloi detyrën më 5 mars 2026.
Drejtorët e Policisë të shkarkuar në 13 vite janë këta: Artan Didi, Haki Çako, Ardi Veliu, Gledis Nano, Muhamet Rrumbullaku dhe Ilir Proda, ndërsa aktualisht është komanduar Sokol Bizhga, deri në emërimin e drejtorit të ri.
Edhe në strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe në qarqe, gjatë 13 viteve janë bërë 373 emërime, shkarkime dhe riemërime drejtorësh dhe shefash komisariatesh, me qarkullime nëpër poste e zona, por 90% e tyre janë të njëjtët drejtues; ndërsa situata e krimit është rënduar më shumë, madje edhe përfshirja e zyrtarëve të policisë në aktivitete kriminale./Pamfleti
