Qeveria e “re” e Edi Ramës: Nga anonimatët tek pazarxhinjtë e Sali Berishës!

Debati për marrëveshjen e detit rikthen në skenë një diplomat të vjetër të sistemit që tani duhet të japë llogari si politikan…

Emërimi i Ferit Hoxhës si ministër i Jashtëm ka rikthyer në debat rolin e tij në disa nga episodet më të diskutueshme të diplomacisë shqiptare, nga marrëveshja e detit me Greqinë te negociatat për varrezat e ushtarëve grekë dhe incidenti me informacionet e NATO-s në OKB. Mazhoranca e mbron si teknokrat me përvojë, ndërsa kritikat e opozitës ngrenë pikëpyetje mbi përgjegjësitë politike të figurave që kanë dominuar diplomacinë shqiptare për më shumë se tre dekada.

Tedi Blushi, njeriu më i afërt i Ilir Metës, gjatë një fjalimi në Parlament, foli për ministrin e ri të Jashtëm të Edi Ramës, Ferit Hoxhës, ku përmendi se ai është njeriu që ka përgatitur marrëveshjen e detit me Greqinë të vitit 2009.

Taulant Balla, shefi i deputetëve socialistë, e mbrojti Hoxhën, duke thënë se ai është një teknokrat dhe përgjegjësia është politike.

Ky qëndrim i Taulantit, apo mazhorancës, ngjan si larja e duarve tek ‘Ponc Pilati’, pasi çështja nuk është aq e thjeshtë.

Ferit Hoxha, ministri i Jashtëm i Edi Ramës, është në të vërtetë një diplomat me përvojë, madje përfaqëson në kuptimin e plotë të fjalës diplomacinë shqiptare të 34 viteve postkomunizëm.

Ngaqë ka qenë diplomat i lartë në rangun e ambasadorit në vendet më të rëndësishme të botës, që nga OKB, Bashkimi Europian, Franca etj., duke i qarkulluar mandatet pa zbatuar logjikën normale të mbarimit të një termi. Që do të thotë edhe pse ka qenë një herë ambassador në OKB, është rikthyer prapë, edhe pse ka qenë i tillë në BE, është kthyer prapë, duke bërë një përjashtim të rregullave, si një diplomat i llastuar, që ndryshe nga protokolli e tradita, është trajtuar si i veçantë.

Ferit Hoxha, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i ministrisë së Jashtme në mandatin e Besnik Mustafës, ka shërbyer sërish si një zyrtar i lartë i MPJ në dy mandatet, për të shkuar më pas në OKB.

Gjatë këtyre detyrave, janë tre ‘proçka’ që kanë lënë shenjë në “talentin diplomatik”.

Ferit Hoxha, ka qenë kryenegociatori i marrëveshjes së varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, dhe ka qenë gjithashtu edhe kryenegociator i marrëveshjes famëkeqe të detit me Greqinë.

Ndërkohë, kur shërbente si ambasador në OKB, ndodhi edhe një skandal i madh, kur u vodh një pajisje elektronike, përkatësisht një laptop, që përmbante informacione të klasifikuara të NATO-s, të cilat dyshohet se përfunduan në duart e shërbimit rus GRU.

Ndoshta të gjitha këto “rastësi” mund të mos jenë ‘en block’ përgjegjësi penalizuese për kryediplomatin e Edi Ramës. Megjithatë, problematike janë dhe që çke me të. Hoxha nuk është thjesht një teknokrat, një “diplomat me përvojë”, por një zyrtar i asaj që quhet “deep State” të 34 vjeçarit shqiptar, që ka mjaft pikëpyetje e problematika. Të cilat, së paku, do të duhet t’i sqaronte tani që ka marrë përsipër të hyjë në sferën e politikës, si ministër i Jashtëm.

Sipas gjasave, edhe Feriti, si të gjithë ‘feritët’ e ‘feridetë’ e tjerë të emëruar nga Edi Rama do të largohet pas një vendimi të marrë nga një ‘dhimbje koke e shefit’, e më pas do të shkrihet si ‘kripa në ujë’.

Si të gjitha ministrat e Edi Ramës, të cilët me përjashtime të vogla, kanë qenë jo personazhe, por thjesht emra që si hynë dolën, e si kanë hyrë do të dalin, kastravecë.

Natyrisht që ky fenomen nuk është problem për ministrat “no face, no name, no number” të Edi Ramës në këto 12 vite, por është një deficencë politike e rëndë për Partinë Socialiste. E cila me dhënien e një pushteti absolut Edi Ramës, ka bërë që pushteti sot në Shqipëri nuk është i PS, por i një “parti të re” apo grupe të tjera, që garantojnë ‘deal’-et e kryemnistrit jashtë paktit politik të mazhorancës.

Çdo emërim që bën Rama, e bën për interesa, ekuilibra, pazare, por përgjegjësinë ja lë socialistëve, të cilët në realitet nuk janë në qeverisje.

Ndaj sot, ka një krizë të madhe, e cila ka hapur një gropë, dhe toka poshtë Edi Ramës është bosh, e nuk do shumë që të fundoset me gjithë qeveri. Po fatkeqësisht edhe me Partinë Socialiste, e cila mund të pësojë fatin e partive homologe që janë zhdukur nga pushteti abuziv dhe autokracia./Pamfleti