Një skenar që është diskutuar në javët e fundit është ngujimi i opozitës ose i një grupi 10-15 ligjvënësish në Kuvend, edhe pse kjo duket një formë ekstreme, që deri më tani nuk është pranuar nga kreu demokrat, Sali Berisha…
Partia Demokratike do të zhvillojë një tjetër protestë, këtë rradhë para Parlamentit, ndërsa në seancë do të diskutohet lidhur me kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, ish-zv.Kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, që po hetohet nga Prokuroria Speciale për shkelje të barazizë në tendera.
Protesta do të nisë në orën 10:00, ndërsa Sali Berisha i ka drejtuar një thirrje qytetarëve të Tiranës, që të mblidhen para Parlamentit. Një ditë më parë, kur socialistët e Edi Ramës vendosën të mos pranojnë kërkesën e SPAK-ut, Berisha deklaroi se tashmë i takon sovranit që të flasë.
12 marsi është një ditë e madhe. Më 12 mars të gjithë shqiptarët para parlamentit. Më 12 mars është dita e pranverës së demokracisë, dita e përmbysjes së madhe të narkoregjimit. Ndajn në ora 10:00 e gjithë Shqipëria te parlamenti. Ne t’i japim përgjigjen e merituar Edvin Kristaq Ramës dhe bandës së tij”, tha Berisha.
Kjo nuk është hera e parë, ndoshta nuk do të jetë as e fundit, që Berisha përdor të njëjtat kërcënime dhe paralajmërime në drejtim të atij që e konsideron si regjimi i Edi Ramës, edhe pse pas çdo proteste, duket se shfaqet një Kryeministër edhe më arrogant që shton dozat e talljes dhe humorit ndaj opozitës.
Por çfarë pritet të ndodhë në protestën e 12 marsit, që Berisha e cilësoi si pranverën e demokracisë për shqiptarët?
Mbështetësit e PD pritet të pozicionohen në të dy hyrjet e Kuvendit, atë nga rruga ‘Xhorxh Ë. Bush’ dhe nga ‘Pedonalja’. Synimi nuk do të jetë të pengojnë deputetët për të hyrë në seancë, edhe për faktin se ligjvënësit, veçanërisht ato të PS-së pritet që në orën kur është njoftuar nisja e protestës të jenë në sallën e Kuvendit, për të nisur me rendin e ditës.
Nuk dihet nëse deputetët demokratë do të udhëzohen për të penguar zhvillimin normal të seancës plenare, por disa prej tyre hera herës do t’I bashkohen protestuesve për të dhënë mesazhe. Një skenar që është diskutuar në javët e fundit është ngujimi i opozitës ose i një grupi 10-15 ligjvënësish në Kuvend, edhe pse kjo duket një formë ekstreme, që deri më tani nuk është pranuar nga kreu demokrat, Sali Berisha.
Forma e zgjedhur për të protestuar para Parlamentit është e njëjtë me ato të përdorura më parë nga Lulzim Basha, kur mblidhte mbështetësit para Kuvendit. Të paktën dy nga deputetët e përjashtuar nga seancat plenare, Gazment Bardhi dhe Klevis Balliu, pritet të jenë mes protestuesve, ndërsa të tjerë ligjvënës do të shfaqen herë në sallë dhe herë në protestë për të dhënë mesazhet.
Ndonëse nuk ka një orar se sa mund të zgjasë protesta, në selinë e PD-së thuhet se mbështetësit e opozitës do të qëndrojnë me orë të zgjatura, përsa kohë do të zgjasin edhe punimet e Kuvendit. Kjo do të thotë se mund të ketë tensione dhe përplasje, edhe pse këtë rradhë nuk do të ketë në përdorim molotovë, apo fishekzjarre janë kthyer në një mjet të zakonshëm në protestat e fundit të opozitës. Dhe ndoshta momentet më deçizive do të jenë ato të daljes së deputetëve socialistë nga salla e Parlamentit, edhe pse është menduar kalimi i tyre, ashtu sikundër ka ndodhur edhe më parë, nga kalime që lidhin godinën e Kuvendit me Akademinë e Shkencave.
Ashtu si edhe në protestat e mëparshme, pritet një angazhim i madh i forcave policore, që do të jenë të stacionuara në hyrjet e Kuvendit, në mbështetje të strukturave të Gardës, që kanë për detyrë të sigurojnë territorin e brendshëm të Parlamentit.
Kjo do të thotë se forcat e policisë do të jenë të përqëndruara në perimetrin e jashtëm, njëlloj sikundër ka ndodhur edhe në protestat e mëparshme të opozitës, që nisin te Kryeministria dhe përfundojnë te Kuvendi. Gjithashtu pritet vendosja e barrierave të hekurit, si një masë parandaluese për shmangien e përplasjeve trump më trump mes policisë dhe protestuesve.
Nga raportimet mësohet se në protestën e 12 marsit mund të angazhohen deri në 500 forca policore, pothuajse 1/3 e atyre që janë angazhuar në protestat e fundit të thirrura nga opozita. Por gjithashtu një pjesë e forcave të rendit do të jenë të stacionuara pranë Kryeministrisë, për t’i paraprirë situatave që mund të dalin jashtë kontrollit. /Pamfleti/
