Edhe pse mungonte kreu i selisë blu, Sali Berisha, të pranishëm ishin shumë deputetë opozitarë dhe qindra qytetarë.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, deputeti Flamur Noka, tha në fjalën e tij se lëvizja e opozitës pas zgjedhjeve të 11 majit dhe qëndresa për të mos u dorëzuar përballë qeverisë së korruptuar, bëri transparencën dhe i nxori socialistët zbuluar para ndërkombëtarëve.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk po mbron vetëm Belinda Ballukun nga vjedhjet që ka bërë, por edhe veten e tij, edhe pse përdori 83 mandate në Parlament për të rrëzuar SPAK në kërkesën e heqjes së imunitetit.
“Anija e socialistëve po fundoset dhe socialistët e dinë. Edi Rama qeveris me vjedhjet e Ballukut dhe krimin e Agasit. Fal nesh dolën në dukje vjedhjet e tyre. Sali Berisha dhe ne nuk u dorëzuam në rrugën tonë, në denoncimet e tyre. Rama e ndjen, ai ka panik dhe për shkak të këtij paniku, javën e kaluar vendosi precedent të rrezikshëm, që askush nuk ka guxuar më parë që ta bëjë. Ai vendosi antishtetin me 83 kartonat e tij përballë shtetit. Ndaj mbrojti mandatin e Belinda Ballukut, jo se i dhimbsej Belinda, por se e dinte se po i vinte radha atij dhe ndaj ngriti antishteti”, u shpreh Noka.
Ligjvënësi opozitar vuri në dukje edhe krizën diplomatike që ka krijuar kryeministri me ndërkombëtarët si dhe qeverisjen e tij me dy standarde, ku burgos qytetarët për dritat, ujin dhe ndërtimet, por mbron me ligj të korruptuarit.
“Por ky është precedent i rrezikshëm sepse i tha edhe atyre ndërkombëtarëve që kanë investuar për reformën në drejtësi, u tha se drejtësi ka kur them unë. Ligjit i nënshtrohet ai qytetari që s’kishte 5 mijë lekë të paguante dritat atje në Lushnjë dhe të vetëvritej, ose ai qytetari që ndërtonte pa leje. Por ligji nuk është për zyrtarët dhe oborrtarët e tij që vjedhin milionat, sepse ata mbrohen me ligj. Por prisni, se ky i Gjykatës së Lartë do mbledhë Kolegjin për bllokimin e drejtësisë. A ia kanë borxh shqiptarët që t’i bllokojë rrugën e integrimit. Këta po vjedhin dhe po mbrojnë vjedhjen me ligj”, vijoi deputeti demokrat.
Teksa u shpreh se Rama tani i ka bllokuar edhe integrimin Shqipërisë, Noka shtoi se premtimi për pasaportë evropiane dhe BE doli i rremë. Sepse iu desh të “mbronte lëkurën e vetë, të Belindës dhe gjyshit”.
“Brukseli foli me zë dhe figurë se sa të jetë ky, kreu i narkosit këtu në krye të qeverisë, shqiptarët ta harrojnë integrimin në BE. A duhet të ndërrojmë ne rrugën evropiane të Shqipërisë për të mbrojtur lëkurën e këtij, Belindës apo gjyshit? Ku vajti premtimi i tij për pasaportën evropiane dhe integrimin e Shqipërisë 2030 në BE. Janë rëndë, janë rëndë dhe drejt fundit, ndaj e përsëris se është merita jonë, e opozitarëve, e partive të tjera, që ata të hyjnë në luftë me gjithë botën sepse ne bëmë transparencën. Askush s’ka guxuar të thotë se lufta ndaj korrupsionit është më e keqe se korrupsioni, vetëm ky e ka thënë (Rama). Të vetmit që mund të mbeten jashtë burgut janë administrata dhe pastruesit, e ndonjë tjetër, kjo ngrehinë do i ngelet bosh. Ndaj ai flet ashtu e thotë ‘lufta ndaj korrupsionit, më e rrezikshme se korrupsioni’. I kemi delegjitimuar përballë ndërkombëtarëve, godina e tyre është shkërmoqur”, akuzoi Sekretari i Përgjithshëm i PD.
Në fund, Noka deklaroi se opozita do vijojë me protestat e saj deri në rrëzimin e këtij regjimi, ashtu sikurse rinia studentore shembi regjimin komunist tre dekada më parë.
Ai i ftoi të gjithë qytetarët që më 22 mars t’i bashkohen protestës kombëtare në Tiranë.
“Rrugëtimin tonë s’mund ta lëmë peng në dorën e narkosit. Ka vetëm një rrugë, të vazhdojmë betejën tonë dhe përballjen. Të dielën është 22 marsi, ditë e shënuar për partinë tonë dhe vendin, ku rinia jonë i dha goditjen një regjimi më të keq dhe të egër se ky, më gjakatar. Ndaj bëj thirrje për ndërgjegjësim dhe bashkim me opozitën, opozita dhe PD ka mision jo pushtetin, por të shpëtojë Shqipërinë nga rrokullisja ku po e çon ky. Protesta e datës 22 duhet të jetë ndër më të mëdhatë që kemi bërë, të japë sinjal fundosjen e narkoregjimit si më 1992, ku rrëzoi përfundimisht regjimin komunist”, përfundoi Noka fjalën e tij.
